Hetues policorë zbarkuan sot në Ministrinë e Hajdarit, dyshohet se janë të Krimeve Ekonomike
Në një zhvillim të fundit, hetues të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike raportohet se kanë kryer një vizitë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ndonëse Nacionale nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë pavarur raportimin, Veriu.info ka arritur të sigurojë fotografi që raportohet se janë të hetuesve policorë.
Ministria e Tregtisë e drejtuar nga Rozeta Hajdari u shndërrua në qendër të vëmendjes javëve të fundit për shkak të dyshimeve për aferën e “Vajit” dhe atë të “Grurit”, për të cilat Nacionale raportoi ekskluzivisht.
Policia sot qëndroi në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë edhe për artefaktet e Kosovës që u prezantuan në “Expo Dubai” nga MINT-i, të cilat qëndruan në një depo ushqimore atje për rreth shtatë muaj.
Nacionale mësoi se ndonëse aktiviteti përfundoi më 31 mars të vitit 2022, të njëjtat mbetën nëpër depo deri më 31 tetor të vitit 2022. Mes tyre, ndodhej edhe “Hyjnesha në Fron”. Pikërsht për një vonesë të tillë, Policia e Kosovës qëndroi sot në dikasterin e udhëhequr nga Rozeta Hajdari, mëson Nacionale.
