Hetimet për tenderët njëburimorë | Murati trumbeton 'luftë kundër Kurtit': S'përcaktojnë korrupsion në kontrata - NACIONALE

Hetimet për tenderët njëburimorë | Murati trumbeton 'luftë kundër Kurtit': S'përcaktojnë korrupsion në kontrata

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Në dritën e raportimit të Nacionales se Prokuroria është duke hetuar rreth 1 mijë e 700 kontrata njëburimore përgjatë mandatit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i është rikthyer zejes më të preferuar të zyrtarëve qeveritar: sulmit ndaj Prokurorisë.

Nga komoditeti i llogarisë së tij në Facebook – larg ballafaqimit në studio televizive – Murati renditi një sërë justifikimesh, ndërsa trumbetoi 'luftë kundër Kurtit' rreth kritikave që pasuan me hetime rreth vlerës stratosferike të kontratave me procedurë të negociuar.

Krejt këtë situatë, e cila u përcoll me kritika të vazhdueshme gjatë viteve të fundit në opinionin publik, kreu i Financave e quajti “shpifje dhe propagandë”.

Fillimisht, Murati mbrojti kontratat me procedura të negociuara duke pretenduar se kjo “nuk e përcakton se a ka korrupsion në atë kontratë apo jo”.

“Me fjalë tjera, lloji i procedurës së prokurimit nuk e përcakton se a ka korrupsion në atë kontratë apo jo. Psh. e kemi rastin e Komunës së Prishtinës, ku me tender të hapur është dhënë kontrata në vlerë 12 milionë euro, për të paguar konsulencë e rendera në kompjuter, dhe askush nuk mund të garantojë që në këtë kontratë nuk ka korrupsion.” – tha ai.

Më tej ai arsyetoi këtë situatë se kontrata me procedurë të negociuar pati edhe në të kaluarën.

“Nëse e shikojmë nëpër vite se si ka qenë raporti i kontratave me procedurë të negociuar nëpër vite, del se niveli më i lartë i përdorimit të kësaj lloj metode, pra tenderë njëburimorë apo tenderë sekretë siç ka qef t’i quajë opozita, ka qenë në vitet 2008 me 19.9% dhe në vitin 2015 me 16.1%.” – tha ai.

Në fund, Murati, në linjë me zyrtarët tjerë qeveritar, sulmoi Prokurorinë Speciale duke e akuzuar se “është e interesuar ta luftojë Albin Kurtin”.

“Prokuroria Speciale është e interesuar ta luftojë Albin Kurtin, për t’ia bërë një argat opozitës. Kjo dëshmohet edhe në shkresat që u dërgojnë institucioneve kur kërkojnë dokumentacionin për “kontratat njëburimore” (termi i përdorur nga opozita), e jo “kontratat me procedurë të negociuar” siç është termi zyrtar.” – tha ai.

Deklaratat e Muratit u ballafaquan me deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila i solli në kujtesë ministrit se ishin deputetët e LVV-së ata që votuan kundër auditimit të kontratave një burimore në nivel lokal dhe qendror.

Deputetja publikoi edhe komunikimin me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, ku bëhet e ditur se janë nënshkruar gjithsej 2123 kontrata një burimor me vlerë 272,954,724.00 EUR.

Lajme të ngjashme