Heshtja e pushtetit për aferën “Zemlajka”
Një audio-incizim i publikuar nga gazeta Nacionale ku dëgjohet shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, teksa flet me kryekriminelin Milan Radoiçiq, ka nxitur shumë reagime në vend.
Audio-incizimi shpërfaqe të pavërtetat të cilat Kusari-Lila i kishte thënë kur Nacionale kishte publikuar incizimet e para të saj me Slavko Simiq, e ku ajo mohonte të ketë biseduar direkt në telefon me Radoiçiqin.
Megjithatë, për dallim nga incizimet e para të publikuara nga Nacionale, kur shumë zyrtarë të lartë të pushtetit u hodhën në mbrojtje të shefes së grupit parlamentar, këtë herë, askush nga pushteti nuk ka reaguar zyrtarisht deri më tani.
Nuk ka reaguar as vetë Mimoza Kusari-Lila e cila para një viti nuk linte studio televizive pa shkuar, për t’i ‘demantuar’ sipas saj, incizimet e Nacionales.
Pavarësisht se gazetari Berat Buzhala e kishte pritur për ditë të tëra përgjigjen e Kusari-Lilës, ajo nuk ishte përgjigjur.
Kur kanë kaluar disa orë nga publikimi i incizimit që tronditi skenën publike në Kosovë, askush nga partia në pushtet nuk ka folur.
Shumë reagime nga opozita
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, tha se kjo bisedë “konfirmon qartë afërsinë dhe koordinimin me Listën Serbe.”
“Hipokrizia dhe mashtrimi janë konstatja e vetme e kësaj kaste qeverisëse! Bisedat që i dëgjuam sot, mes shefes së grupit parlamentar të VV-së me kryeterroristin Radoiçiq, e konfirmojnë qartë afërsinë dhe koordinimin me Listën Serbe. Çka fsheh ende afera "Zdravo" mbetet të shihet, por tashmë s'ka dilema se kjo duhet të hetohet nga organet përkatëse.” – tha Çitaku.
“Llogari” dhe “dorëheqje”ka kërkuar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila përmes një reagimi në Facebook ka thënë se ndër të tjera “Kurti duhet të japë shpjegime për këtë bisedë të deputetes së Vetëvendosjes me Radojçiqin”.
“Albin Kurti duhet të japë shpjegime për këtë bisedë të deputetes së Vetëvendosjes me Radojçiqin. Vetëvendosje duhet të japë llogari para votuesve pse “Erdhi Dita” që Shefja e Grupit Parlamentar të koordinohet me Radoiçiqin. Duhet të jepni llogari dhe pastaj të jepni edhe dorëheqje.” – tha ajo.
Mimoza Kusari-Lila e kishte konfirmuar bisedën me Radojçiqin, por pati deklaruar se biseda është në gjuhën shqipe.
Ndërsa gazetari Lirim Mehmetaj beson se “e vërteta qenka krejt ndryshe”, duke shtuar se “tashmë e kemi të konfirmuar se shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet ka biseduar me kriminelin më të kërkuar të Kosovës në vitin 2022, atëherë kur ai ka qenë edhe në listë të zezë të SHBA-ve.”
Sipas Mehmetajt, është më se e qartë bërë se biseda është zhvilluar “nën direktiva të dikujt më të lartë se Kusari-Lila dhe ajo do të duhej të tregonte në Prokurori se kush i tha të flas me Radojiçiç-in dhe për çfarë arsye.”
Ai ka bërë thirrje që të ketë intervenim sa më të shpejtë të Prokurorisë.
“Prokuroria duhet të intervenojë shpejt, shumë shpejt. Kusari-Lila dhe padronët e saj aktualisht përbëjnë rrezik nacional.” – tha ai ndër të tjera.
Ndërsa sipas deputetes së LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, shefja e VV e “shndërroi Milan Radojçiçin nga një terrorist në një “Zemlak” miqësor.”.
“Sot, shefja e VV e shndërroi Milan Radojçiç nga një terrorist në një “Zemlak” miqësor. Kryeministri Kurti e ‘lau’ Oliver Ivanoviç duke e shndërruar nga një vrasës shqiptarësh në burrështetas të suksesshëm. Në krejt këtë valle patriotizmi të rrejshëm, vetëm një dilemë e kam. Si ka mundësi që kaq pafytyrësisht e vazhdoni vallen edhe pasi ju ka rënë perdja?”, tha ajo.
Kusari-Lila e ka bërë atë që di më së miri – ndërmjetësimin, tha gazetari Vehbi Kajtazi.
Krejt këtë punë, sipas tij, Kusari-Lila e ka bërë në shërbim të Kryeministrit Albin Kurti, që sipas tij, del të jetë bashkëpunëtor i terroristit Radojiçiq.
“Situata tashme eshte kristal e qartë. Shefja e Grupit parlamentar të partise se Albin Kurtit, ka fol ne telefon me terroristin Milan Radojiçiq. Per te qene situata me e rende, Mimoza ne emer te partise ne pushtet eshte koordinu me Millanin qe veteranet e luftes se UÇK-se te mos perfitojne nga rritja e pages minimale. Ky pushtet nuk e ka dert te bashkepunoje edhe me terrorist serb kur eshte fjala per te marre vendime ne dem te atyre qe kane luftuar kunder Serbise se Milan Radojiçiqit. Sidoqofte, mos e gjykoni Mimozen, sepse kete gje e ben me se miri - ndermjetesimin. Ajo vetem ka kryer pune per Albinin, i cili del se eshte bashkepunetor i terroristit, Radojiçiq.” – tha ai.
Biseda më pak se një minutë ishte ndërmjetësuar nga Sllavko Simiq i Listës Serbe.
“Kolege, kemi ardhur te Milani, dëgjohu me të”, i thotë Simiq deputetes së VV-së.
“Në rregull”, ia kthen Kusari-Lila.
“Alo, (vendase) zemlajke, a po nihemi?”, e pyet Milan Radojçiqi.
“Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila.
Radojçiq: “Qysh je? Qysh po kalon?
Kusari-Lila: “Qe, qe në Kuvend i kam pasur disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi”.
Sekuencën e bisedës e cila besohet se është zhvilluar në qershor të vitit 2022, e ka publikuar Nacionale.
Biseda ishte zhvilluar në kohën kur Milan Radojçiqi ishte përfshirë në Listën e Zezë.
Mimoza Kusari-Lila e kishte konfirmuar bisedën me Radojçiqin, por pati deklaruar se biseda është në gjuhën shqipe. Sipas versionit të Kusari-Lilës, biseda kishte ndodhur pasi Simiq ia pati ‘lëshuar interfonin pa paralajmërim’.
“…Në të cilin gjatë bisedës Sllavko, ne…e thërret, e lëshon në speaker phone. Ai flet shqip”.