Heshtja e presidentes përballë tendencës së Qeverisë për të kapur KPM-në: Osmani injoroi edhe thirrjet për të ndalur ligjin problematik - NACIONALE

Heshtja e presidentes përballë tendencës së Qeverisë për të kapur KPM-në: Osmani injoroi edhe thirrjet për të ndalur ligjin problematik

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kanë kaluar më shumë se një javë që Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin problematik për Këshillin e Pavarur për Media dhe presidenti Vjosa Osmani nuk e ka thënë asnjë fjalë.

Pavarësisht kërkesave të shumta të mediave dhe shoqërisë civile që shefja e shtetit të dalë me një qëndrim publik për këtë çështje, ajo ka heshtur.

Presidentja Osmani ka injoruar edhe thirrjet e shumta të gazetarëve dhe juristëve që e para e vendit ta ndalonte këtë ligj dhe ta kthente për ndryshim në Kuvend.

Ligji një fjalë, që nga opozita është dërguar në Kushtetuese, është kritikuar ashpër në Kosovë dhe jashtë saj.

Organizatat vendore e ndërkombëtare kanë vlerësuar se ligji për KPM-në është tendencë e Qeverisë për t`i kontrolluar mediat e Kosovës.

I fundit që ka kërkua reagimin e presidentes Osmani ka qenë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Shqetësimeve të AGK-së, i janë bashkuar Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligji nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Europes. AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve”, është thënë në njoftimin e AGK-së.

Sipas AGK-së, presidentja e vendit e ka për obligim të veproi në këtë rast.

“Mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht. Nga Presidentja pritet që të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE”, ishtë thënë në njoftimin e AGK-së.

Edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftarja, ka vlerësuar se presidentja Osmani mund ta kthen ligjin në Kuvend.

“Presidentja e Republikes duhet te shfrytezoj te drejten e saj kushtetuese dhe te kthen Ligjin per KPM ne Kuvend. Arsye te kthimit te ligjit ne Kuvend ka shume. Ligji cenon vlerat demokratike te Republikes. Presidentja duhet te veproj dhe te ruaj vlerat dhe parimet mbi te cilat bazohet rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Parimet dhe vlerat si liria, demokracia, barazia, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit nuk mund te neperkemben. Presidente vepro!”, ka shkruar Miftaraj në profilin e tij në “Facebook”.

Kurse, gazetari Leonard Kerçuki ka thënë se shefja e shtetit këtë ligj duhet ta dërgojë në Kushtetuese.

“Une besoj se Presidentja e vendit duhet ta referoje kete ligj ne Gjykaten Kushtetuese. Ky eshte nje prej momenteve ku ajo tregon nese eshte Notere apo Shefe e Shtetit. Kurse mediat, duhet te behet bashke kunder ketij ligji dhe per sensibilizimin e opinionit nderkombetar per synimet e kesaj Qeverie kunder rendit demokratik permes goditjes se mediave dhe gazetareve”, ka shkruar Kerçuki në profilin e tij në “Facebook”.

Lajme të ngjashme