Hesht RTK-ja: Pse po e fshehin raportin rreth lajmit të rremë? - NACIONALE

Hesht RTK-ja: Pse po e fshehin raportin rreth lajmit të rremë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Derisa janë bërë 18 ditë nga sulmi i Radiotelevizionit të Kosovës ndaj dy mediave, Nacionales e Periskopit, ku mes tjerash, akuzohen për financim nga Serbia, raporti i Komisionit të krijuar në lidhje me këtë çështje, nuk është publikuar ende.

Fillimisht, gjatë ditës së sotme juristja e medias, Flutura Kusari deklaroi se sipas informacioneve që ka marrë, raporti tashmë është dorëzuar. I njëjti, u prit të publikohej gjatë ditës së sotme.

Në anën tjetër, Nacionale ka bërë kërkesë për qasje në këtë raport, por i njëjti nuk është dhënë. Nacionale po ashtu ka kërkuar edhe procesverbalin nga takimi i bordit, por as ky nuk na është dhënë. Kështu, gazeta ka parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim.

Vetë publikimi i këtij lajmi nga RTK-ja, duke cituar burime jokredibile të një mediumi boshnjak u cilësua si skandaloz dhe i porositur politikisht. Por, skandali thellohet pasi deri më tash, asnjë masë nuk është ndërmarrë ndaj personave përgjegjës, në krye të të cilëve është drejtori i TV-së në RTK, anëtari me librezë i VV-së, Rilind Gërvalla.

Sipas burimeve të Nacionales, komisioni ka konstatuar se në portalin e RTK-së ka pasur editime dhe modifikime, ku janë hequr emrat e dy mediave për të cilat kishte akuza të rënda.

Kësisoj, nëse ky raport ka mbetur kështu, atëherë përgënjeshtëron pretendimin e Rilind Gërvallës, drejtorit të TV-së se televizioni publik nuk i kishte përmendur me emra mediat.

Ndërkohë, në lidhje me këtë situatë, Kusari sot shkroi:

“RTK është përballur me nje skandal të madh që përfshin ndikimet politike në përmbajtje editoriale. Pas publikimit të qëllimshëm të informacinit të rremë sipas së cilit dy media në Kosovë janë blerë/bashkëpunojnë me Serbinë, ështe formuar nje komision për të zbuluar a) a ka pasur shkelje të standardeve etike dhe ligjore gjatë publikimit dhe b) kush është përgjegjes. Raporti është finalizuar dhe sipas burimeve të mija i është dorëzuar zëvendes drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës Adi Krasta”.

Kujtojmë se RTK në ueb-faqen e tyre, si dhe në edicionin e lajmeve qëndrore, transmetoi një lajm nga një portal boshnjak, duke pretenduar se dy media të Kosovës financohen nga Serbia.

Artikulli në portalin e RTK-së përmendte me emër mediat, e më pas u editua dhe emrat u larguan. Kurse, në lajmet qendrore u dha jehonë se si dy portale paguhen nga presidenti i Serbisë.

Bordit i RTK-së, u mblodh për këtë çështje dhe premtuan që do të ketë masa, ndërsa punën po vazhdon pa pengesë drejtori i televizoni dhe anëtari i VV-së, Rilind Gërvalla, i cili në çdo mënyrë ka mbrojtur raportimin e RTK-së.

“U.d drejtoresha ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së” – thuhej në komunikatën e Bordit të RTK-së.

Në anën tjetër, brenda RTK-së pati reagime të shumta, pasi disa redaktorë e gazetarë u distancuan nga raportimi i rremë. Gjithashtu dorëheqje dha U.D Drejtoresha, Zana Spahiu, reagoi redaktori i edicionit, Jeton Musliu e per raportimin nuk tha asgjë u.d kryeredaktorja e RTK-së, Leonora Bërbatovci.

Ndërkohë, Nacionale publiko edhe bisedat në të cilat kërkohej që të mos bëhen reagime në mënyrë që të harrohet skandali.

Pas publikimit të lajmit skandaloz, RTK-ja është kritikuar me të madhe nga organizata të huaja e vendore, nga gazetarë e analistë të cilët thonë se RTK-ja është e kapur nga pushtetit.

Organizatat joqeveritare dhe aktivistët kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së pas raportimit skandaloz për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.

“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.” – thuhej në reagimin e tyre.

Gjithashtu, edhe organizata ndërkombëtare “Safe Journalist” ka reaguar ashpër pas sulmeve nga pushteti ndaj Nacionale dhe Periskopit.

“Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën e shpifjeve të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe shpërndarjen e “lajmeve” të tilla që sulmojnë mediat tjera në Transmetuesin Publik të Kosovës RTK. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë shpifëse dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre” – thuhej në reagimin e tyre.

Raportimi i RTK-së ishte sulm i pashembullt ndaj mediave dhe që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

Lajme të ngjashme