Hera e pestë: Dështon seanca kundër kreut të FFK-së, Agim Ademi
Në mungesë të të dëmtuarit Dritëro Kadolli, përsëri ka dështuar të mbahet të martën, seanca ndaj Agim Ademit, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Muharrem Ramës, lidhur me akuzën për detyrim.
Ademi dhe Rama akuzohen se më 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Kadolli, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMW X5”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit të çështjes, Sabit Sadikaj, Kadolli ka njoftuar administratën e gjykatës se gjendet në Angli dhe nuk do të jetë në Kosovë deri rreth datës 27 shkurt 2023.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u ndërpre dhe ajo e radhës u caktua të mbahet më 7 mars 2023.
Gjykatësi Sadikaj, konstatoi se palëve prezentë procesverbali i seancës do të ju shërbej si ftesë, ndërsa i dëmtuari Kadolli do të ftohet me ftesë të rregullt.
Ndryshe edhe seanca e kaluar kishte dështuar të mbahej, pikërisht për shkak të mungesës së Kadollit.
Të akuzuarit Ademi dhe Rama, më 7 nëntor të 2022 në seancën e rigjykimit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuz1%n që iu vihet barrë.
Për shkak se është parashkruar vepra penale e ushtrimit të ndikimit, për të cilën edhe ishte shpallur aktgjykim refuzues në korrik të 2019-ës, lënda tani ka kaluar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Betimi për Drejtësi.