Haxhiu thotë se po hyjmë në javën vendimtare për presidentin, përmend edhe zhvillimet jashtë vendit
U.D. Presidentja e Kosovës dhe Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka dhënë një ide “interesante”, për akterët politikë në Kosovë. Ajo ka thënë se është mirë që të unifikohen të gjithë për çështjen e presidentit (në garë janë Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku), ndërsa betejat të vazhdohen pas këtij procesi.
“Mendoj që qytetarët nuk i duan zgjedhjet në Republikën e Kosovës në këtë moment. Në dhjetor të vitit të kaluar ata kanë votuar për partitë politike, pra në këto zgjedhje, prandaj mendoj që askush nuk do të duhej të synonte që me veprimet e tyre ta çojnë vendin në zgjedhje. I ftoj që të përbashkohen, të unifikohen, e pastaj betejat për çështje të tjera i lëmë pas zgjedhjes së presidentit”, tha Haxhiu.
Ajo, këtë të dielë tha se e sheh javën që po vjen si vendimtare, duke përmendur edhe “marrëveshje brenda orëve, nëse ka vullnet”
“Këtë javë, kjo javë është vendimtare. Uroj që të nisë me takime ndërmjet partive politike. Unë mirëpres çfarëdo kontributi të partive politike, grupeve parlamentare në raport me çështjen e zgjedhjes së presidentit, për faktin se nuk kanë mbetur edhe shumë ditë, por në qoftë se ka vullnet mund të kryhet brenda shumë pak orësh. Prandaj i ftoj edhe sot, këtë të diel, që javën që kemi para nesh ta shfrytëzojmë me takime, të cilat uroj të përmbyllen me një konsensus sa i përket emrit të presidentit.”
Sa i përket takimeve me partitë e tjera dhe liderët, ajo tha se nuk është vet përgjegjëse, por për këtë është Kurti.
“Unë nuk jam përgjegjëse për të ftuar partitë politike në takim. Takimet po ftohen nga kryeministri Albin Kurti, si kryetar i partisë, si kryeministër dhe si dikush që i ka mbi 50 deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht 66 me koalicionin që është bashkërisht.
Ajo u shpreh e bindur se qytetarët nuk duan zgjedhje të reja, duke përmendur edhe zhvillimet jashtë shtetit.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kemi shumë punë para vetes, jo vetëm për së brendshmi, por po ashtu edhe për zhvillimet jashtë vendit tonë. Prandaj duhet të jemi të vëmendshëm, duhet ta kemi parasysh interesin qytetar dhe jo, si me thënë, ndonjë interes individual apo grupor.” – tha ajo.