Haxhiu nënshkruan vendimet për hapjen e zyrave noteriale në gjashtë komuna
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka nënshkruar vendimet për hapjen e zyrave noteriale në Malishevë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Kaçanik dhe Istog.
Haxhiu ka njoftuar se kjo është mundësuar pas ndryshimit të Ligjit për Noter.
“Sot kam nënshkruar vendimet për hapjen e zyrave noteriale në Malishevë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Kaçanik dhe Istog. Me ndryshimet në Ligjin për Noterinë është krijuar mundësia e hapjes së zyrave noteriale nga noterët ekzistues, prej të cilëve i kemi zgjedhë gjashtë, ashtu që të njëjtit, përveç zyrave në territorin e komunës ku janë emëruar, të ofrojnë shërbime noteriale edhe në gjashtë komunat pa noterë për të cilat i kemi caktuar.” – ka shkruar ajo.
Ministrja Haxhiu ppërmes një postimi në Facebook ka thënë se noterët do të ofrojnë shërbime një ose dy ditë në javë në komunat e mbetura pa noterë pa ndërprerë së funksionuari zyrat noteriale në territorin ku janë të emëruar.
“Noterët e caktuar për qëllimin e ofrimit të shërbimeve noteriale në territorin tjetër, pa ndërprerë së funksionuari zyrat noteriale në territorin ku janë të emëruar, do të ofrojnë këto shërbime të paktën një ose dy ditë në javë dhe kjo do të vlejë për periudhën kalimtare deri në kompletimin e shërbimit noterial në komunat e mbetura pa noterë. Kjo zgjidhje optimale do të lehtësojë në masë të madhe qasjen e qytetarëve në ofrimin e shërbimeve noteriale dhe do të mënjanojë shpenzimet e udhëtimit në komunën tjetër, si dhe vështirësitë e tjera, pasi që këto shërbime nga tash e tutje do të ju ofrohen në komunën e tyre.” – ka përfunduar Haxhiu.
