Haxhiu e arsyeton vizitën e Kurtit në Greqi: E rëndësishme për Kosovën, opozita s’dha sinjale për ndryshim
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu ka arsyetuar mungesën e kryeministrit në largim, Albin Kurti në seancën e sotme.
Ajo ka thënë se vizita e tij në Greqi është e rëndësishme për Kosovën, dhe se nuk kanë pasur sinjale nga opozita për ndryshim të qëndrimeve.
“Deputeti Kurti, kryeministri në detyrë, kryetari i VV-së ka qenë i pranishëm në secilën seancë, kjo është e dyta kur ka munguar, ne nuk kemi pasur asnjë sinjal se opozita do të ndryshojë qëndrim, atëherë s’kemi pasur sinjale, andaj Kurti do të jetë në seancën e ardhshme, sigurisht që pjesëmarrja e tij atje është e rëndësishme për Republikën e Kosovës, në një vend që s’e ka njohur Kosovën, po të na jepte sinjale opozita, do ta kishim kryeministrin Kurti” – tha ajo, transmeton Nacionale.
Haxhiu mes tjerash foli edhe për vendimin e Gjykatës Supreme, ku paralajmëroi ankesë në Gjykatën Kushtetuese.
“Betimin ministri Murati e ka bërë më 19 prill, udhëzimi është nënshkruar më 15 prill, janë tri ditë përpara, nëse s’e numërojmë 15 prillin. Është situatë e paqartë, sepse Gjykata Supreme ka shtuar diçka që nuk ezkiston në ligjin për Qeverinë.
Kur konstituohet Kuvendi, formohet Qeveria, nëse ministri Murati do të jetë sërish ministri, s’kemi vendosur mos më citoni, atëherë natyrisht që nuk do të jetë më deputet.
Do ta ankimojmë këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese sa më shpejt, përmes avokaturës shtetërore do të bëhet ankimimi” – tha ajo.