Haxhiu e “anashkalon” Korenicën, viziton noterinë që e propozoi deputeti nga Rahoveci
Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, ka dalë sot në terren. Ajo ka zgjedhur të vizitojë qytetin e Rahovecit dhe atë të Malishevës. Aryseja e vizitës lidhej me hapjen e dy qendrave të reja të noterisë në këto dy qytete.
Për këto dy vizita, zonja Haxhiu e botoi një shkrim në profilin e saj në Facebook.
“Sot, vizituam dy zyra noteriale. Në Rahovec, vizituam noteren Suna Sallahi ndërsa në Malishevë noterin, Minir Zekolli. Qytetarët e këtyre dy komunave tashmë mund t'i kryejnë shërbimet në komunat e tyre.” – theksoi ajo.
Por ajo që ra në sy ishte mosftesa e deputetit të Rahovecit, Visar Korenica, që është po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje, ku Haxhiu është udhëheqëse e gruas.
Madje, për hapjen e zyrës noteriale në Rahovec, meritat i mori deputeti Korenica, që ka pasur një përplasje të mëhershme me Haxhiun rreth projekt-kodit civil, i cili parashihte bashkësitë civile të seksit të njëjtë.
“Një hap i vogël por shumë i rëndësishëm ku pas një kohe të shkurtë, me propozimin tim për plotësim ndryshimin e ligjit për noterinë, dhe gatishmërinë e Ministrisë së Drejtësisë, sot është hapur zyra noteriale Suna në Rahovec.” – shkroi ndër të tjera z. Korenica.
Kujtojmë që z. Korenica është nga deputetët konservator të VV-së dhe se ka dalë kundër nismës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë rreth projekt-kodit civil. Madje, z. Korenica edhe kishte votuar kundër kësaj nisme, ku parashiheshin bashkëjetesat civile të seksit të njëjtë.