Hasani: Udhëzimi për largimin e kryetarëve është kundërkushtetuese, kryetarët duhet të japin dorëheqje - NACIONALE

Hasani: Udhëzimi për largimin e kryetarëve është kundërkushtetuese, kryetarët duhet të japin dorëheqje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasa, ka bërë me dije se udhëzimi administrativ për largimin e kryetarëve të komunave nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ai ka vlerësuar se çështja në fjalë është dashur të rregullohet me ligj dhe jo me udhëzim administrativ.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani ka thënë se udhëzim e ka uzurpuar një autorizim ligjor të Kuvendit.

“Jo, sepse caktimi i të drejtave dhe detyrimeve, dhe mënyra e realizimit të tyre, duhet fillimisht të përcaktohet me ligj. Kushtetuta kërkon ligj. Këtu bëhet fjalë për demokracinë e drejtpërdrejtë, që është kategori kushtetuese, dhe mënyrat e realizimit të saj përcaktohen me ligj, zakonisht quhet Ligj për iniciativën qytetare, Ligj për referendum, ose Ligj për referendum dhe iniciativë qytetare. Kushtetuta tregon se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë subjekt i referendumit. Pastaj, ligjvënësi është i lirë që t’i përcaktojë këto dy çështje. Por, këto dy çështje nuk i ka rregulluar Kuvendi i Kosovës, dhe për pasojë ky udhëzim e ka uzurpuar një autorizim ligjor të Kuvendit, dhe e ka normuar një çështje që është dashur të normohet me Ligjin për iniciativën qytetare”, ka thënë Hasani.

Profesori i së drejtës kushtetuese ka paralajmëruar se ky udhëzim mund të rrezohet nga Gjykata Kushtetuese, nëse dërgohet për shqyrtim.

“Jam shumë i sigurt se nëse përfundon në Gjykatë Kushtetuese, ky ligj rrëzohet për arsyet që i thashë, por edhe për arsyen tjetër, që udhëzimin administrativ me përmbajtje të thellë të normave ligjore e ka nxjerrë organi administrativ, që është dikasteri ministror. Ky është konflikt i hapur i interesit, sepse këtu nuk bëhet fjalë për specifikimin e procedurave të realizimit të një të drejte, por caktohen të drejta shtesë prej autorizimit të zëvendëskryesuesit, pastaj mandatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizim të zgjedhjeve, gjë që mund ta bëjë vetëm ligji, jo udhëzimi administrativ”, ka thënë Hasani.

Me tej, Hasani ka theksuar se rruga më e mirë për ti hapur rrugë zgjedhjeve të reja është dorëheqja e kryetarëve aktual në veri.

“Kjo është çështje e mungesës së vullnetit politik nga ana e pushtetit. Nëse pushteti do të donte ta rregullonte këtë punë, kjo çështje do të harrohej. Do të mund të ulej me opozitën dhe t’i thoshte se ne bëmë zgjidhje, i mbajtëm zgjedhjet siç na tha Kushtetua e ligji, dhe siç na përkrahen miqtë tanë ndërkombëtarë. Miqtë tanë nuk e konsiderojnë, sipas standardeve të shteteve të tyre, këtë rezultat, dhe ne për pasojë jemi të delegjitimuar”, ka thënë ai, duke treguar rrugën të cilën duhet ndjekur.

“Unë mendoj që Kosova nuk po i bën nder vetes. Mund t’iu thuhet [kryetarëve], ose mos shkoni një muaj në punë, ose jepni dorëheqje. Shumë më dinjitoze është të jepet dorëheqje dhe të mos shkohet në punë, sesa të largohen me nënshkrim. Sepse, në atë mënyrë, pushteti vetëm po u kundërvihet tezave të veta qe pesë-gjashtë muaj, që ata janë legjitimë. Ata nuk janë legjitimë aty. Ata janë legalë, sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, por legjitimiteti aty është zero”, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme