Hasani për sulmet e Qeverisë ndaj Kushtetueses: Shqetësuese edhe si po i arsyetojnë goditjet - NACIONALE

Hasani për sulmet e Qeverisë ndaj Kushtetueses: Shqetësuese edhe si po i arsyetojnë goditjet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Javën që lamë pas Gjykata Kushtetuese rrëzoi Ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pushteti nuk vonoi shumë, dhe nisi me sulme ndaj këtij institucioni, duke përfshirë këtu edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Kjo, është shumë shqetësuese sipas ish-kryetarit Enver Hasani. Çka thotë ai?

Duke folur në një intervistë për “KP”, Hasani është shprehur se dallimi mes asaj që u tha nga Komisioni i Venecias dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, është shumë i vogël:

“Ligji në bazë të asaj çka është bë, sepse akoma nuk është krejt teksti, jon po ato arsye që i ka thënë Komisioni i Venecias. Këto gjëra, këta i kanë ditë dhe unë asnjë dyshim nuk kam që dallimi nga ajo që ka thënë Komisioni i Venecias dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, është 1 për qind”.

Megjithatë, për të mbetet shqetësuese mënyra se si pushteti arsyetoi goditjen ndaj këtij institucioni, duke përmendur mënyrën e votimit, transmeton Nacionale.

“Ajo çka është shqetësuese, është mënyra e arsyetimit të goditjes ndaj Gjykatës, shembull mënyra e votimit. Kjo nuk tregon asgjë. Nuk tregon asnjëherë, keq ose cilësi, nuk e përshkruan cilësinë e vendimit, as raportit, as mendimi mospajtues. Që flasim për dinamika të brendshme të Gjykatës, ajo është pasuri e Gjykatës, është e përcaktuar me ligj e kushtetutë, standard evropian. Kjo është e para, që për mua është shqetësuese.” – tha ai.

Tutje, Hasani foli edhe për sulmet e ministres Albulena Haxhiu:

“E dyta, sulmet ndaj Gjykatës, shembull kryeministri, ministritë e tjera, por ministri i Drejtësisë, titullari i atij dikasteri, supozohet që është jurist dhe duhet pak argumente juridike me dhënë.

Duhet me pasë pak respekt për dinjitetin kolegial, profesionin, të gjithë janë jurista. Po bëhet fjalë për titullar të politikës që është jurist, duhet me pas minimum që mos me e shkelë, dhe ti nuk e shkel kur del me argumente profesionale edhe e zbërthen pse Gjykata Kushtetuese ka gabu, kjo është legjitime”.

Çka tha Haxhiu?

Kryeministri Kurti ishte ai që “numëroi” votat e Kushtetueses për ligjin që u rrëzua. Haxhiu në anën tjetër, u shpreh si vijon:

…16 muaj iu deshën Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pas 16 muajve, pra sot, kuptuam që Ligji është shpallur i pavlefshëm. 5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithësej vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm. Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”.

Lajme të ngjashme