Hasani: Draft-Statuti e bën Asociacionin “Republikë Srpska 2.0”
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Draft-Statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i cili është publikuar sot është anti-Kushtetues.
Në një intervistë për “Kohën”, ai ka thënë se ky draft e bën asociacionin “Republika Srpska 2.0”.
Sipas saj, një asociacion i tillë është regjionalizim i Kosovës dhe prishje e karakterit të saj si shtet unitar.
Ai ka vlerësuar se juridiksioni i Asociacionit parashihet të mbulojë çdo gjë përveç çështjeve të Ushtrisë së Kosovës.
Ai ka vlerësuar se drafti në fjalë bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.
“Si nuk ka! Në rend të parë, si tërësi, juridiksioni i Asociacionit parashihet të mbulojë çdo gjë përveç çështjeve të Ushtrisë së Kosovës. Në këtë kuptim, unë do të thosha se Asociacioni është “Republika Srpska 2.0”, është regjionalizim i Kosovës dhe prishje e karakterit të saj si shtet unitar. Në rend të parë, Kuvendi i Asociacionit është kuvend konstituiv nga i cili derivohet kompetenca origjinale për Asociacionin që dalin tërësisht jashtë rendit juridik të Kosovës. Në rend të dytë, Asociacioni flet për kolektivitetin serb, pra mbron të drejtat kolektive, që Gjykata Kushtetuese ka thënë se nuk bën. Në rend të tretë, Asociacioni sikur paraqitet si një institucion financiar i pavarur, që edhe këtë Gjykata Kushtetuese në vitin 2015 e ka shpallur si jokushtetues. Në rend të katërt, Asociacioni nuk mund të shpërbëhet nga askush në Kosovë pos nga vetvetja, që tregon për fuqinë e tij konstituive si një trup i të drejtës publike që paraqitet si i barabartë me organet e pushtetit qendror në Prishtinë”, ka thënë Hasani.