Hasani: Dorëheqja e Kurtit është hajgare, tallje me institucionet
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kritikoi mënyrën se si është trajtuar çështja e dorëheqjes nga pozita ekzekutive për certifikimin e kandidatëve për zgjedhje.
Sipas tij, nuk ka pasur një dorëheqje të vërtetë, ndërsa vendimi është dorëzuar në një institucion të paautorizuar. Hasani theksoi se dorëheqja ishte një veprim formal dhe joserioz, duke e cilësuar si “tallje me institucionet”.
Ai shtoi se Glauk Konjufca, të cilit i është drejtuar dorëheqja, nuk ka pasur ndonjë funksion të përcaktuar zyrtarisht në atë momet dhe, si i tillë, nuk ka pasur kompetencë për ta pranuar atë.
“Nuk është dorëheqje. Absolut, do të thotë ajo, ajo është – këta anglisht thonë mockery – është abuzim, hajgare, tallje me institucionet, po, sepse ai i drejtohet personit të jokompetent. Glauku asnjë funksion s’ka në Kosovë, ai nuk është kryetar, vendi nuk ka as ushtrues detyre.
“KQZ-ja, kryetari i KQZ-së është jurist i mirë, nuk e kuptoj pse që në fillim nuk ka lyp me i dorëzu dorëheqjes, siç e kërkon ligji. Ai ligj ka kërku dhe kërkon dorëheqjen në momentin e certifikimit… në fakt, ashtu është edhe po të shikohet fillimi i mandatit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kur e cakton papajtueshmërinë e funksionit ekzekutiv me atë të deputetit”, tha Hasani në emisionin “Context” në ATV.