“Harrohet” çështja e presidentit: VV-ja para zgjedhjeve synon “kapjen” e Gjykatës Kushtetuese, Bordin e RTK-së dhe KPM-në
Partia në pushtet po punon intenzivisht për kapjen e disa institucioneve të pavarura. Kohën kushtetuese që ka në dispozicion për të zgjedhur presidentin, Albin Kurti dhe VV-ja po e shfrytëzojnë për t`i pozicionuar njerëzit e tyre në Gjykatë Kushtetuese, Bord të RTK-së dhe Komisionin e Pavarur për Media.
Kjo pasi njerëz në lidhje të fora me pushtetin ia kanë mësyrë këtyre pozitave të larta publike.
Ajo që dihet deri me tani pozitës se anëtares së Gjykatës Kushtetuese ia ka mesyrë Emine Abdyli-Pozhari, bashkëshortja e analistit Xhedet Pozhari, i cili është mbështetësve më të fuqishëm të Albin Kurtit. Ajo tani është propozuar për votim në Kuvend.
Është raportuar se kandidatët tjerë që janë propozuar për votim në Kuvend për gjyqtarë në Kushtetuese janë të afërt me VV-në. Votimit për dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese do të bëhet në seancën parlamentare të së premtes.
Figura publike që janë të afërta me partinë në pushtet i kanë hyr garës për anëtar të Bordit të RTK-së. Madje, është kontestuar edhe procedura e intervistimit të këtyre kandidateve. Për këtë arsyeje, shoqëria civile sot ka kërkuar pezullimin e këtij procesi.
Gazeta Nacionale ka raportuar se në mesin e kandidatëve që kanë konkuruar për anëtarë bordit në RTK, gjendet edhe emri i Rudina Xhaferit.
Rudina Xhaferi është motra e Sihana Xhaferit, e cila ka qenë këshilltare e kryeministrit Albin Kurti të paktën deri në vitin 2025, siç e dëshmon edhe regjistri i deklarimit të pasurisë.
Rriten shqetësimet
Shoqëria civile dhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë shprehur shqetësimet e tyre për tendencën e pushtetit për të kapur këto institucioneve të pavarura.
Politologu Agon Maliqi ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti i ka zëvendësuar prioritet. Ai ka bërë me dije se në vend që kjo kohë të shfrytëzohet për zgjedhjen e presidentit, partia në pushtet po e shfrytëzon për interesa partiake,
“Kurti i ka prioritetet shumë të qarta. I gjithë muaji të cilin e ka në dispozicion për t'u zgjedhur presidenti (duke e pasur edhe U.D president nga VV) po kalohet duke e pasur si prioritet sigurimin e kontrollit mbi institucionet e pavarura që janë kyçe për demokracinë. Gjykata Kushtetuese, Bordi i RTK, Komisioni i Pavarur i Mediave, AKI - të gjitha janë çuditërisht në proces të përzgjedhjes së drejtuesve nga një shumicë përndryshe e karakterizuar nga dembelia për punë serioze. Për shkak se shumica e tashme parlamentare dhe qeverisja me president U.D ia jep këtë mundësi, Kurti qartazi nuk ka pasur interesim për konsensus me opozitën për presidentin. Me këto institucione së shpejti nën kontroll, edhe Presidenti, edhe zgjedhjet e reja bëhen më pak problematike. E din baba çka po lypë "populli" e po ua jep. Skenar i parë dhe përjetuar në të gjithë Ballkanin dhe që përfundon dikur me fatin e Orbanit”, ka shkruar Maliqi.
Rreth tendencës së pushtetit për të kapur Komisionin e Pavarur për Media dhe Bordin e RTK-së sot shoqëria civile dhe AGK-ja kanë mbajtur një konfernecë për media.
Ata i kanë bërë thirrje partisë në pushtet
Shoqëria civile dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, bashkë me juristen Flutura Kusari, kanë alarmuar se pushteti i Vetëvendosjes po synon kapje totale të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe të RTK-së.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se në mbledhjen e mbajtur dje, ka pasur shumë shkelje, të cilat janë bërë nga deputetët e VV-së.
“I gjithë procesi është jotransparent, nga ana e deputetëve të partisë më të madhe, organizimi i shqyrtimit të dosjeve të kandidatëve, janë mbi 70 për RTK dhe mbi 30 për KPM. Ka pasur mungesë transaprence dhe për këtë anëtarët e opozitës e kanë bojkotuar mbledhjen e komisionit ad-hoc. Koha që janë ftuar kandidatët për intervistë ka qenë e kufizuar, dhe ua ka pamundësuar kohën e përgatitjes. Njëri kandidat është ftuar në orën 21 për intervistë sot. 70 aplikime që janë pranuar të premten, deputetët i kanë shqyrtuar dje, direkt pas pushimit të pashkëve. AGK dhe shoqëria civile kërkon që ky proces të pezullohet, dhe të nis vetëm kur të sigurohet që ka transparencë, dhe me kohë të përshtatshme për përgatitje. Më mirë të ketë vonesë në zgjedhjen e anëtarëve të bordeve, se të ketë proces të komprometuar, dhe që ka për synim kapjen e këtyre bordeve”, tha Rexha.
Mexhide Demolli nga Lëvizja Fol ka thënë se disa kandidatë, janë favorizuar nga deputetët e VV-së.
“Nga përvoja jonë që kemi monotiruar, ajo që kemi parë dje, e që pritet të shohim sot, është e kundërta nga praktika e mirë në të kaluarën. Gjatë mbledhjes së djeshme janë përdorur standarde të shumëfishta, është vendosur që kandidatët që nuk kanë dorëzuar të gjitha dokumentacionet të eleminohen. Gjatë shqyrtimit disa kandidatëve është konstatuar edhe pse s’kishin dorëzuar disa dokumentacione, t’iu mundësohet të kalojnë tutje, komisioni ka ndryshuar metodologjinë pa asnjë arsyetim, duke favorizuar disa kandidatë. Për intervistim, praktika ka qenë që deputetët të bëjnë përzgjedhjen e pyetjve të gjitha njëjtë, gjë që nuk ka ndodhur në rastin konkret. Është udhëzuar administrata të përgatisë 20-30 pyetje prej të cilave kandidatët do të zgjedhin nga 3. Pavarësisht tri pyetjeve që do të përzgjidhen, komisioni ka mundësi në pyetje shtesë, gjë që nuk parashihet në një proces intervistimi, që bashkë me britanikët kanë sjellur praktikë të mirë”, tha ajo raporton Nacionale.
Juristja e medias, Flutura Kusari, ka thënë se deputetët e VV-së kanë pasur takime me kandidatët për anëtarë të bordit në RTK.
“Karakteristikat janë tipike kur një parti në pushtet synon të kap një insttiucion të pavarur. Niveli i kualitetit të kandidatëve është shumë i ulët, është shumë vështirë me gjet profesioistë, dhe kjo ka ndodhur pasi profesionistët nuk i besojnë VV-së që do të zhvillojë proces fer, transparent dhe sipas meritokracisë. Mbrëmë në orët e vona kandidatët janë ftuar për të ardhur sot në intervistë. Ta ftosh një person që do të shërbejë në RTK rreth orës 22 të natës, me u paraqit në mëngjes në intervistë, është tallje me procese demokratike. Një kandidat favorizohet sepe publikisht dihet që është pro-vv, dhe një tjetër përjashtohet sepse dihet që anon nga opozita. Disa prej deputetëve të VV-së janë takuar në kafiteri me kandidatët për anëtarë bordi të RTK-së. Një person që bëhet anëtar bordi nuk mjafton të jetë i pavarur, ai duhet të duket i pavarur, dhe takimet me deputetë, tregojnë për pazare që janë bërë. Shqyrtimi i dosjeve është bërë sa për sy e faqe. Janë bërë të gjitha përpjekjet që të kap tërësisht, siç e ka kapur RTK-në, që kur t’i shohim lajmet sa e mrekullueshme është qeveria, sa i mrekullueshëm është Kurti, dhe çdo gjë që bën opozita ose mediat e tjera janë në lidhje me Serbinë”, tha ajo.