Haradinaj propozon rezolutë për gjendjen në veri, e thërret Kurtin në interpelancë
Kreu i AAK-së , Ramush Haradinaj, përmes një konference të jashtëzakonshme ka propozuar një rezolutë katërpikëshe të cilën ai thotë do ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës për votim. Haradinaj ka thënë se ka drejtuar një shkresë në Kuvend duke kërkuar me urgjencë mbajtjen e një seance me pikë të vetme, interpelancë me kryeministrin Albin Kurtin.
Përmes rezolutës, kjo parti kërkon që Qeveria ta shtyjë vendimin për targat, të fillohet diskutim për rikthimin e serbëve të larguar nga institucionet, të niset komunikim me të gjithë faktorët vendorë për daljen nga situata e krijuar dhe që të bëhet një samit në SHBA deri në arritjen e marrëveshjes me njohje reciproke Kosovë-Serbi.
“Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është ndër më të rëndat në këto 22 vjet. Serbia ka krijuar skenar të destabilizimit të Kosovës duke urdhëruar serbët t’i braktisin institucionet e Kosovës”, tha ai.
Rezoluta e propozuar:
1. Qeveria të marr vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshjen finale për njohje me Serbinë
2. Institucionet e Kosovës fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës
3. Qeveria të nisë komunikimin intensiv me faktorët relevantë në vend, përfshirë opozitën, si nevojë e daljes nga gjendja e krijuar
4. Të kërkohet një samit në SHBA, takim disaditorë deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje Kosovë-Serbi