Haradinaj për Kurtin: Është koha e fundit të kalojë në anën e duhur, kjo është thirrja ime e fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, duke theksuar rrezikun e izolimit nga aleatët ndërkombëtar.
Me anë të një shkrimi në Facebook, Haradinaj ka kritikuar për kryeneçësi kryeministrin Albin Kurti dhe për pavendosmëri presidenten Vjosa Osmani.
“Kosova po kalon momente të vështira, për shkak të kryeneçësisë së Kryeministrit dhe pavendosmërisë së Presidentes!
Kosova po kalon momente vendimtare e as ata e as ndjekësit e tyre, nuk janë duke e kuptuar rrezikun që paraqet izolimi nga aleatët perëndimorë dhe veprimet që janë përmbysje e gjithë asaj që është arritur deri më sot’, ka shkruar Haradinaj.
Tutje, ai ka thënë se ky është momenti i fundit që Kurti të kalojë në anën e duhur.
“Hezitimi që të pranohen sugjerimet e partnerëve tanë strategjikë, posaçërisht ShBA-së, në një situatë kaq vendimtare, mund të kenë pasoja të rënda për vendin.
Kryeministri e ka momentin e fundit të heqë dorë nga kursi i mosveprimit e të kalojë në anën e duhur. Vetëm kështu, e të koordinuar me Amerikën dhe BE-në, fitohet beteja e finale me Serbinë.
Është thirrja ime e fundit që Kryeministri dhe Presidentja të rreshtohen me aleatët dhe ta mbyllim njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë. Mos e përjashtoni veten nga ky process”, ka shkruar ai.
