Haradinaj në Kuvend: Kurti i dha hapësirë Serbisë ta luajë viktimën me vendimin për targa
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mbajtur fjalën e tij në seancën ku po zhvillohet interpelanca e kryeministrit Albin Kurti, rreth situatës së krijuar në veri.
Haradinaj ka kritikuar qeverinë, duke thënë se e ka shpërfillur kërkesën e Amerikës për targa.
“Edhe veprimet e deritashme të institucionve të Kosovës, nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar. Kryeministri në vend të përfillte kërkesën e Amerikës, zgjodhi skenarin e zbatimit në faza të marrëveshjes, me çka i dha hapësirë Serbisë ta luajë viktimën. Presidentja nuk ka vepruar në përputhje me situatën, duke bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Të gjithë këta kanë filluar të kërkojnë faktorë fajtorë”, deklaroi Haradinaj.
Ai e propozoi edhe rezolutën duke kërkuar votën e deputetëve.
“Propozoj ta votojmë rezolutën: qeveria të marrë vendim për shtyrjen e vendimit për targa deri në marrëveshje finale, institucionet e Kosovës ta fillojnë dialogun me serbët e Kosovës, qeveria të nis me komunikim intesniv me faktorët relevantë duke filluar edhe opozitën, pika e katërt kërkohet samit në Amerikë deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje”, tha Haradinaj.
“Kjo kërkesë ka ardhur para vendimit të qeverisë për gjobat e tabelat, dhe ka ardhur në kohën e tensioneve. Mund të konstatohet se për pikën e parë ka një zhvillim, edhe pse nuk është ai që do t’i bënte nder Kosovës, por mendoj që tri pikat e tjera qëndrojnë dhe i bëjnë nder Kuvendit e Qeverisë”, deklaroi kryetari i AAK-së.
“Në disa situata qeveria duhet të merr përkrahjen e parlamentit. Në situata të ndjeshme të sigurisë, është me interes që të gjitha institucionet ta marrin ndihmën e parlamentit. Iu kërkoj deputetëve konsiderojeni këtë si ndihmesë të situatës që po kalon vendi”, përfundoi Ramush Haradinaj.