Haradinaj apel Kurtit e Osmanit: Veproni menjëherë në përputhje me tri pikat e BE-së
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbledhur Kryesinë e parties gjatë ditës së sotme për të diskutuar zhvillimet aktuale në vend dhe sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës pas acarimit të marrëdhënieve me pushtetin aktual lidhur me trazirat në veri.
Pas takimit, Haradinaj ka bërë thirrje që të ndërmerren veprime që do të parandalonin ashpërsimin e sanksioneve
“Sot e shfrytëzoj rastin me i bë apel Kurtit dhe Osmani që të veprojnë menjëherë në përputhje me tri pikat e BE-së. Me të drejtë thuhet BE është lehtësues i dialogut, por mos të harrojmë se faktor vendimmarrës në këto procese është Amerika, ato tri kërkesa janë të BE-së dhe Amerikës. Të veprohet menjëherë dhe të mos lejohet që Kosova me kalu në një shkallë edhe më të keqe të ndëshkimeve," - deklaroi Haradinaj.
Ndërkaq, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me opinionistë dhe gazetarë për të diskutuar mbi çështjen e daljes nga kriza.
Kryeministri Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë, ka deklaruar se ata janë të interesuar për zbutjen e tensioneve në situatë dhe se po punojnë në këtë drejtim me të gjithë palët e interesuara.
Ndërsa partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, ka prezantuar një seri veprimesh që do të ndërmarrin ndaj Qeverisë së Kosovës, duke shprehur shqetësimin për situatën aktuale në vend pas mbledhjes së këshillit drejtues të partisë.
Një nga kërkesat kryesore të Krasniqit është shpallja e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Ai ka kërkuar që kjo të bëhet sa më shpejt, përmes dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti ose shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.