Hapja e Urës së Ibrit, KFOR-i thotë së mandat e ka edhe patrullimin në urë
Pas Bashkimit Evropian, edhe KFOR-i ka shprehur shqetësimet e tij rreth paralajmërimeve të hapjes se Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve.
Në një përgjigje për Radio Evropën e Lirë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka vlerësuar se në kuadër të mandatit e ka edhe patrullimin rreth urës në fjalë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Radio Evropën e Lirë.
Ndaj paralajmërimeve të tilla ka reaguar edhe BE-ja.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka komentuar se Brukseli ka parë mjaft kriza e njëkohësisht, sipas tij, shumë pak zgjidhje dhe hapa që çojnë drejt depërshkllëzimit.
“Hapja e urës në Mitrovicë është në fakt objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE: nga viti 2015 dhe viti 2016. Dhe pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Evropian si lehtësues, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullim. Dhe meqenëse kjo është një çështje që i përket dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe merret në dialog dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dyja palëve: Kosovës dhe Serbisë. Kjo është shumë e qartë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së.