Nis bashkëbisedimi për hapjen e urës së Ibrit, prezent edhe disa deputetë të VV-së
Ka filluar bashkëbisedimi në Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut për hapjen e urës së Ibrit.
Në sallën ku po mbahet ky takim po marrin pjesë disa qytetarë dhe figura publike.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se është i hapur për t`i dëgjuar shqetësimet e qytetarëve për këtë çështje.
Ai ka shprehur gatishmërinë e institucioneve për të iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.
“Jemi të hapur me diskutuar, me ua dëgjuar të gjitha brengat dhe kritikat, aty ku ju i cilësoni sit ë rëndësishme dhe me iu përgjigje, çfarëdo që keni nevojë”, është shprehur Atiq.
Kurse për aspektin e sigurisë, ka folur zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Ai ka thënë se në aspektin e sigurisë kjo urë nuk ka arsye që te mbetet e mbyllur.
“E pyesim vetën si Polici e Kosovës pse kjo urë është mbyllur , do të ishte mirë nga ju me ndëgju se pse kjo urë duhet të mbetet e mbyllur. Sepse nga aspekti i sigurisë s’ka arsye. Nëse është për me siguru, ne kishim gjetur forma për ta siguruar”, është shprehur Elshani.
Në këtë takim, përveç përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës e të komunës së Mitrovicës së Veriut, po marrin pjesë edhe dy deputetë të Vetëvendosjes.
Deputetja e VV-së, Arjeta Fejza dhe deputeti Salih Zyba, janë të pranishëm në sallën ku po mbahet debati për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar serbët që të marrin pjesë në këtë diskutim, ku sipas tij, “mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre”.

Kryeministri Albin Kurti dje ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këtë takim.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në këtë takim qytetarët do të njoftimet për përfitimet që do të kenë nga hapja e kësaj ure.
“Protesta e mbajtur sot në Mitrovicë të Veriut përfundoi pa asnjë incident. I falënderoj institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të saj. Protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës sonë, pa dallim. Komuna e Mitrovicës së Veriut nesër prej orës 11:00, në hapësirat e Kuvendit Komunal, organizon takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën "Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile"”, ka shkruar ai.
Sipas tij, urat duhet t`i bashkojnë njerëzit dhe jo t`i ndajnë.
“I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit. Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ka shkruar ai.