Hapja e urës, DASh: Nuk do të hezitojmë të bëjmë gjithçka që nevojitet për t'i mbrojtur njerëzit tanë - NACIONALE

Hapja e urës, DASh: Nuk do të hezitojmë të bëjmë gjithçka që nevojitet për t'i mbrojtur njerëzit tanë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë me dije se janë në gjendje t`i ndërmarrin të gjitha veprimet e mundshme për ta mbrojtur personelin e tyre në Republikën e Kosovës.

Pas paralajmërimit të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se hapja e urës se Ibrit mund të rrezikojë jetët e ushtarëve amerikanë, ka reaguar edhe Departamentit Amerikan të Shtetit.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Vedant Patel, ka bërë me dije se ShBA-ja nuk do të hezitojë të bëjë gjithçka për të mbrojtur njerëzit e saj në Kosovë.

“Më lejoni të them vetëm se ne sigurisht nuk do të hezitojmë të bëjmë gjithçka që nevojitet për të mbajtur – për t’u siguruar që personeli amerikan dhe njerëzit tanë janë të mbrojtur”, ka thënë Patel.

Në një konferencë për media, ai ka bërë me dije se ShBA-ja në këtë koment nuk e mbështet hapjen e urës se Ibrit.

“Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë lëvizje për të ndryshuar statusin aktual të urës së Mitrovicës në këtë moment.”, është shprehur ai.

Ky reagimi i DASh-it vije pasi ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar rreziqet për hapjen e urës së Ibrit.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se hapja e urës në këtë moment do të mund të rrezikonte jetët e ushtarëve amerikanë dhe ushtarëve të tjerë të KFOR-it,

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka thënë ambasadori amerikan.

Paralajmërimet e amerikanëve me shqetësim i ka pritur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë vizitës në Komunën e Vitisë, shefja e shtetit ka thënë se ShBA-ja kurrë nuk ka qenë kundër hapjes se urës.

Ajo ka thënë se aleatët e Kosovës po kërkojnë që hapja e urës të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit.

“Në takimet e mia me SHBA asnjëherë nuk është thënë se janë kundër hapjes së urës, përkundrazi janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel, të cilat kanë paraparë hapjen e urës. Po sikurse për çdo temë të sigurisë kërkojnë dhe i luten Kosovës që të ulemi bashkë, institucionet e Kosovës dhe aleatet tanë të sigurisë dhe ta hartojnë se bashku planin e zbatimit, i cili i merr parasysh vlerësimi e sigurisë edhe të Kosovës dhe të aleatëve tanë dhe ju siguroj se në shumicën e rasteve ato janë identike. Dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përbashkëta të përzgjidhet momenti më i volitshme në mënyrë që çështja e urës dhe hapja e saj të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit, por sukses i përhershëm”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, nuk është në interes të Kosovës të ndodh një konflikt mes Policisë së Kosovës dhe ushtarëve amerikanë.

“Ajo urë nuk është dashur të mbyllet kurrë, ajo urë është mbyllur për arsye politike. Ura duhet të hapet, por duhet të sigurohemi që kur hapet mbetet e hapur, e jo kur hapet nxit prezencë të NATO-s më të madhe në të. A është në interes të Kosovës të shohim konflikt mes Policisë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar në tokë që pajtohet me të. Duhet të sigurohemi që kjo të mos ndodh. Nuk ka arsye që të kemi konflikte me aleatët tanë. Ata na kanë shpëtuar. Natyrisht, edhe për shkak të sakrificës së popullit tonë, ata janë me ne ta mbrojmë sovranitetin tonë. Urat kur të hapen janë të hapura”, ka vlerësuar Osmani.

Kundër hapjes së urës në këtë moment ka dal edhe Bashkimi Evropian. Madje, zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar edhe sanksione të reja për Kosovën, nëse ndërmarr hapa të njëanshëm për hapjen e urës. Sipas tyre, kjo çështje duhet të diskutohet në Bruksel.

Lajme të ngjashme