KRYESORE | Hapet rruga për “kapjen e administratës”, miratohet ligji që u kritikua ashpër nga BE-ja
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë, pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga opozita dhe BE-ja.
Me 58 vota “për” dhe 4 “abstenime”, deputetët kanë miratuar këtë projektligj në lexim të ditë.
Kundërshtimi i tri partive opozitare nuk ka ndikuar që ky projektligj të amandamentohet.
Ndonëse deputetët e opozitës kanë propozuar disa amandamente, ato nuk janë përkrahur nga deputetët e opozitës. Këta të fundit kanë përkrahur vetëm amandamentet e Qeverisë së Kosovës.
Shefi i Grupit Parlament të PDK-së, Abelard Tahiri, është shprehur kundër Projektligjit për Zyrtarët Publikë, i cili sot po shqyrtohet për lexim të dytë në Kuvend.
Ai ka thënë se ky ligj e cenon administratën publike.
Tahiri i ka bërë thirrje Qeverisë që ta tërheq këtë projektligj.
“Ne konsiderojmë se ky projektligj, që shihet se do të votohet, e cenon në thelb punën e administratës tonë publike”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se ky projektligj ka marrë vërejtje të shumta nga Zyra e BE-së në Prishtinë, shoqëria civile dhe gjithë aktorët tjerë.
Sipas tij, ky projektligj do ta devijon punën e mirë të shërbimi civile.
“Do të hapni mijëra konkurse, do të emëroni njerëz që do të ua bëjnë argatin juve dhe do ta dëmtoni cilësinë në administratës e cila do të ndikoj në qeverisjen tuaj dhe në ato të ardhshme” , ka thënë Tahiri.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka thënë se ky projektligj është shumë i dëmshëm për administratën shtetërore.
“Kushdo që e kalon konkursin 70 për qind, emrat prej 30 për qind të tyre shkojnë tek mbikëqyrësi për përshtatshmëri e qëndrueshmëri. Unë i kam kritikat që janë dhënë për të. Nëse nuk ua ndien as për SHBA, as për BE, kë e keni ju referencë. Na detyroni të marrim hapa tjerë kushtetues për ta ndalë këtë çështje. Nuk është që nuk është abuzuar në të kaluarën me administratë por së paku rregullimi ligjor i sistemit nuk është prekur” ka thënë Selmanaj.
Edhe më i ashpër ndaj projektligji ka qenë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Në adresimin e tij, ai ka thënë se ky projektligj e varros meritokracia në punësim publik.
"Për mua kjo është goditja më e madhe qe i jepet sistemit. Ky ligj juve sot do t’iu vendosë në pozitën më të keqe, sot jeni ju, nesër jemi ne. Secili i dyti shqiptar nuk ka votu për Qeverinë tuaj që ta marrë një vendim që e kthen kryesinë e partisë shef të rekrutimit. Në ditën që ju keni aplikuar për t’u bërë vend kandidat po atë ditë e keni votuar një ligj që është pengesa themelore në rrugëtim drejt BE-së. Ju e keni në dorën tuaj, por ne si GP dhe si deputetë e kemi me domosdoshmëri që të bëjmë gjithçka në rrugë ligjore për ta ndaluar një gjë të tillë. Kthehuni mbrapa përndryshe e keni bërë një dëm shumë të madh”, ka deklaruar Tahiri.
Rregullime të tilla s`ka asnjë vend i BE-së
Edhe Bashkimi Evropian ka kritikuar këtë projektligj. Zyra e BE-së në Prishtinë ka vlerësuar se ky projektligj e cenon dhe e politizon shërbimin civil.
Përmes disa komenteve, të cilat i ka siguruar gazeta Nacionale, BE-ja ka kërkuar nga deputetët ndryshimin e disa neneve të projektligjit.
BE-ja ka vlerësuar se Projektligji është ende problematik nga pikëpamja e sigurimit të një shërbimi civil të bazuar në meritë.
Në komentet që kjo zyre ia ka dërguar Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, më 14 dhjetor, është thënë se Qeveria ka përfshirë vetëm disa rekomandime të tyre.
Sipas tyre, në projektligj nuk janë përfshirë komentet e BE-së dhe SIGMA-s në memorandumin shpjegues dhe nuk është arsyetuar devijimi nga këshillat e dhëna.
Aty adresohen një sërë çështjes si shumë shqetësuese, duke iu rekomanduar deputetëve të Kosovës që gjatë leximit të dytë të projektligjit të merren parasysh këto komente.
Sipas komenteve, projektligji duhet të përafrohet më mirë me parimet e një administrate publike moderne në mënyrë që të jetë në gjendje të përmbushë angazhimin për një administratë publike të bazuar në meritë, të depolitizuar dhe profesionale.
"Projektligji është ende problematik nga pikëpamja e sigurimit të një shërbimi civil të bazuar në meritë, i aftë për të tërhequr dhe ruajtur kandidatë profesionistë. Projektligji shton diskrecionin e tepruar në rekrutimin, transferimin dhe ngritjen në detyrë të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil të cenueshëm dhe në rrezik më të madh politizimi dhe korrupsioni", thuhet në komentet e BE-së.
Shqetësimet e BE-së kanë të bëjnë me fushën e zbatimit të ligjit, mandatin e pozitave të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues, procedurën e rekrutimit të këtyre pozitave, mungesën e përzgjedhjes së listës së ngushtë të kandidatëve për pozita të larta drejtuese dhe rekrutimin e decentralizuar.

