Hamza: VV s’e ka pasur seriozisht shkuarjen në zgjedhje, besoj se unë do të jem kryeministri i ardhshëm
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pasur seriozisht shkuarjen në zgjedhje, derisa tha se subjekti i tij politik është i gatshëm të kontribuojë në secilën mënyrë për të shkuar në zgjedhje.
Duke folru për “EO”, ai ka thënë se vetëm PDK ka qenë e gatshme për të shkuar në zgjedhje.
“Ne kemi qenë të hapur gjithmonë jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike, me këto që janë në opozitë dhe me partinë në pushtet, për çështje të caktuara të cilat janë në interes të vendit në interes të Kosovës. I kemi dallimet tona politike, konceptualisht në aspektin programor jem më të afërt më disa parti në opozitë, ndërsa për shkuarjen në zgjedhje del se e vetmja Partia Demokratike e Kosovës e ka pasur seriozisht dhe ka qenë e gatshme. Ne kemi deklaruar që cilado prej mundësive juridike që vjen në shprehje, ne jemi të gatshëm që ta japim kontributin tonë, edhe përmes dorëheqjes së kryeministrit, gjë të cilën nuk është duke e bërë; edhe përmes mocionit të mosbesimit.” – u shpreh ai.
PDK, sipas Hamzës, do t’i japë 18 vota për rrëzimin e Qeverisë, dhe se kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë më të gjitha partitë për të shkuar në zgjedhje.
“Partia Demokratike e Kosovës sigurisht që do t’i japë 18 votat e veta (për rrëzimin e Qeverisë). Kemi qenë të gatshëm që të bashkëpunojmë më të gjitha partitë që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje, për shkak se gjendja ekonomike, mirëqenia e qytetarëve, ngritja e çmimeve, dobësimi i standardit, gjendja në arsim e shëndetësi nuk janë si mundet dhe duhet me qenë dhe duhet me qenë.” – tha Hamza.
Ai ka thënë se megjithatë, Qeveria Kurti është në muajt e fundit dhe se zgjedhjet “prapë se prapë do të vijnë”.
“Për këtë arsye, Partia Demokratike e Kosovës ka qenë e gatshme dhe e përgatitur me shku në zgjedhje, mirëpo del që partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dashur zgjedhje, për arsye se sikur të kishte dashtë zgjedhje kanë qenë të mjaftueshme votat e shumicës dhe votat e Partisë Demokratike që vendi të shkojë në zgjedhje. Por po del që ata po proklamojnë dhe thonë që kemi qenë të gatshëm e në fakt nuk kanë qenë të gatshëm. Derisa dy partitë e tjera opozitare që janë prezente në Kuvendin e Kosovës nuk kanë treguar ndonjë vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje. Sidoqoftë jemi në muajt e fundit dhe prapë se prapë zgjedhjet do të vijnë.” – u shpreh ai.
Në fund, Hamza ka deklaruar se PDK do të punojë shumë që ta fitojë pushtetin, dhe që ai të bëhet kryeministër.
“Ne punojmë shumë që Partia Demokratike e Kosovës ta ketë kryeministrin dhe unë besoj që kryeministri i ardhshëm do të jetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e siç dihet unë jam i propozuar zyrtarisht për kryeministër të Republikës së Kosovës. Ne do të punojmë që kryeministrin ta ketë Partia Demokratike.” – tha Hamza.