Hamza thotë se slogani “Kosova mundet ma mirë” nuk i referohet katër viteve të fundit
Kandidati për Kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka komentuar sloganin “Kosova mundet ma mirë” të kësaj partie. Gjatë një paraqitje në “Pressing”, Hamza tha se slogani nuk i referohet vetëm mandatit të fundit të qeverisjes, por rezultatit të shumë gjeneratave nga’82-ta e deri në Shpallje të Pavarësisë dhe zhvillimin që është bërë më pas.
“Jam prej kandidatëve që nuk jam mohues ndaj të kaluarës, ndaj të arriturave. Sllogani që Kosova “mundet ma mirë”, është optimist, shpresëdhënës. Nuk i referohet veç mandatit të fundit qeverisës. Nuk i referohet vetëm mandatit të fundit të qeverisjes. Nëse e krahasojmë Kosovën me para disa viteve, Kosova ka një progres. Është si rezultat i shumë gjeneratave, i shumë përpjekeve. Nuk i mohon as përpjekjet e 68-ës, as të 81-ës, as 89-ës, as viteve të 90-ta, dhe sidomos kulmin e kësaj me themelimin e UÇK-së deri në Shpalljen e Pavarësisë dhe të bërjes shtet.”
Në rastin e qeverisë aktuale, Hamza tha se qeveria Kurti nuk mund të numërojë asnjë projekt të madh të përfunduar.
“Nëse shikojmë ka shumë ndryshime, shumë rrugë, shumë shkolla, rritje të pagave, rritje te kapaciteteve institucionale. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që nuk ka vend për progres dhe nëse i referohemi qeverisjes së fundit katërvjeçare, kemi pasë një qeverisje, thënë më së buti, ku rezultatet mungojnë. Nuk kemi ndonjë rezultat domethënës në investimet kapitale. Me fillu dhe përfundu një mandat një qeveri pa u identifiku me projekte kapitale, ndonjë autostradë, ndonjë stadium, ndonjë projekt të madh që e ka fillu edhe e përfundon, nuk ka.” – tha Hamza në “Pressing”.