Hamza: “Ofertat” e Kurtit në minutat e fundit janë lojë politike, jo përpjekje serioze për të ofruar zgjidhje - NACIONALE

Hamza: “Ofertat” e Kurtit në minutat e fundit janë lojë politike, jo përpjekje serioze për të ofruar zgjidhje

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, duke e akuzuar se po përpiqet t’ia faturojë opozitës përgjegjësinë për bllokadën politike. Hamza tha se Kurti nuk ka reflektuar për krizën institucionale, por vetëm ka ndryshuar formën e komunikimit, duke kaluar nga fyerjet në moralizim politik. Ai e akuzoi kreun e qeverisë se për vite ka refuzuar bashkëpunimin dhe kompromisin, ndërsa tani po kërkon “nënshtrim, jo bashkëpunim”. Sipas tij, “ofertat” e fundit janë lojë politike dhe se vendi duhet t’u kthehet qytetarëve për legjitimitet të ri.

Në një video-adresim në Facebook, Hamza tha se qasja e fundit e Kurtit nuk përbën reflektim të vërtetë politik, por vetëm ndryshim të mënyrës së komunikimit.

“Dje pamë një tentim tjetër nga z. Kurti për t’ia hedhur fajin opozitës lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.”

“Ajo që pamë nuk ishte reflektim, por vetëm ndryshim i formës.”

“Nga fyerjet e mëhershme për ne si opozitë, dje dëgjuam moralizim politik. Por moralizim pa përgjegjësi dhe pa vetëdije për dëmet që shkakton me retorikën e tij.”

Kreu i PDK-së tha se një lider i përgjegjshëm, në momente të ndjeshme për vendin, duhet të reflektojë dhe të kërkojë bashkëpunim. Por, sipas tij, Kurti ka vepruar në drejtim të kundërt, duke refuzuar kompromisin dhe duke e zgjedhur përplasjen si metodë politike.

“Çdo lider politik i përgjegjshëm ndalet, reflekton dhe bashkëpunon, sidomos në momentet kur vendi ka më së shumti nevojë.”

“Ndërsa z. Kurti, për vite me radhë, ka bërë të kundërtën: ka refuzuar bashkëpunimin, ka refuzuar kompromisin dhe ka zgjedhur përplasjen si mënyrë veprimi.”

Hamza e akuzoi Kurtin se nuk po kërkon marrëveshje për interesin shtetëror, por mbështetje për ruajtjen e pushtetit të tij politik.

“Edhe tani ai po kërkon nënshtrim, jo bashkëpunim. Po e kërkon përkrahjen tonë, jo për shtetin, por për pushtetin e tij. Jo për stabilitetin e vendit, por për stabilitetin e tij politik.”

Sipas tij, Kosova prej gati dy vitesh po mbahet peng nga bllokadat politike, jo për mungesë mundësish, por për shkak të mungesës së vullnetit për qeverisje të përgjegjshme.

“Prej gati dy vitesh, vendi po mbahet peng i bllokadave të tij politike. Jo sepse mungojnë mundësitë, por sepse mungon vullneti për të qeverisur me përgjegjësi.”

Hamza tha se, si kryetar i PDK-së, ka treguar gatishmëri për dialog dhe bashkëpunim, duke marrë pjesë në takime dhe ftesa, përfshirë edhe takime në zyrën e Kurtit.

“Si Kryetar i PDK-së, unë kam dëshmuar vullnet e gatishmëri për dialog dhe bashkëpunim. Kam qenë aty, në çdo takim, në çdo ftesë. Madje edhe në vikend, në zyrën e tij, me shpresën e vetme: që kjo çështje të trajtohet seriozisht dhe me përgjegjësi shtetërore.”

Megjithatë, sipas tij, shumë shpejt u bë e qartë se Kurti nuk ishte i interesuar për konsensus apo kompromis, por për imponimin e një kandidature partiake.

“Por shumë shpejt u bë e qartë: nuk ishte i interesuar për konsensus. Nuk ishte i interesuar për kompromis. Kishte vetëm një qëllim: imponimin e një presidenti partiak për pushtetin e tij.”

Hamza shtoi se PDK-ja ka ofruar disa rrugëdalje nga kriza, përfshirë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, marrëveshje vetëm për Presidentin dhe diskutim për emra konsensualë pas një dakordimi parimor.

“Ne, si PDK, kemi ofruar zgjidhje konkrete. Kemi ofruar marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kemi ofruar marrëveshje vetëm për Presidentin dhe diskutim për emra konsensualë në një fazë të dytë, pas dakordimit parimor.”

Por, sipas tij, qasja konstruktive e PDK-së është shtrembëruar dhe përdorur për konsum politik.

“Por kjo qasje konstruktive e jona nuk u vlerësua. U shtrembërua. U keqinterpretua. U përdor për konsum politik.”

Lajme të ngjashme