Hamza: Kosova duhet të lidhet me gazin amerikan për të ulur kostot e energjisë - NACIONALE

Hamza: Kosova duhet të lidhet me gazin amerikan për të ulur kostot e energjisë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se Kosova duhet të ndryshojë qasjen e saj energjetike dhe të lidhet me gazin natyror amerikan (LNG), me qëllim uljen e varësisë nga importet e shtrenjta dhe rritjen e sigurisë energjetike.

Hamza tha se qytetarët dhe bizneset në Kosovë po përballen me çmime gjithnjë e më të larta të energjisë, duke theksuar se vendi ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për import të energjisë elektrike gjatë pesë viteve të fundit.

Sipas tij, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa lidhje me rrjetet e gazit natyror, gjë që e bën më të ekspozuar ndaj çmimeve të larta dhe pasigurisë energjetike.

Postimi i plotë në Facebook:

Koha për ta lidhur Kosovën me gazin amerikan dhe për t’i dhënë fund varësisë nga importet e shtrenjta të energjisë!

Kosova sot po e paguan energjinë më shtrenjtë se kurrë më parë. Familjet po përballen me fatura gjithnjë e më të larta, ndërsa bizneset po e humbin konkurrueshmërinë.

Për vite me radhë, Qeveria ka refuzuar mundësinë për ta lidhur Kosovën me gazin natyror amerikan (LNG), duke e lënë vendin më të varur nga importet e shtrenjta dhe më të pasigurt energjetikisht.

Vetëm në pesë vitet e fundit, Kosova ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për importin e energjisë elektrike. Kjo është dëshmia më e qartë se vendi nuk mund të vazhdojë të mbështetet te importet e shtrenjta, por ka nevojë për burime të reja, më të sigurta dhe më të përballueshme të energjisë.

Sot, Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk është i lidhur me rrjetet e gazit natyror. Ndërkohë, gazsjellësi Aleksandrupoli–Shkup do ta sjellë LNG-në amerikane vetëm rreth 15 kilometra larg kufirit të Kosovës, duke krijuar një mundësi reale që nuk duhet humbur.

Si kryeministër, do ta ndryshoj këtë qasje. Do ta nisim menjëherë projektin për lidhjen e Kosovës me korridoret rajonale të gazit natyror dhe do të ndërtojmë partneritet strategjik energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo nënkupton më shumë siguri energjetike, më pak ndotje, më shumë investime dhe energji më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset. Nuk mund të ndërtojmë ekonomi moderne me politika të shekullit të kaluar. Kosovës i duhet vizion, jo improvizim!

Lajme të ngjashme