Halimi: VV-ja po përdor metoda staliniste, po përcakton diagnoza për zërat kritik
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka reaguar ndaj akuzave të zyrtarëve të VV-së ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se qëndrimet e zyrtarëve të partisë në pushtet ndaj zërave kritik janë mendësive e urrejtjes.
Sipas saj, partia në pushtet po përdor metoda staliniste ndaj zërave kritik.
“Mendësia e ideologëve të urrejtjes kanë arritur deri në këtë stad sa edhe të përcaktojnë diagnoza për të gjithë ata zëra kritik, që nuk pajtohen me mendimin e tyre. E siç dihet tendenca për t'i psikiatrizuar oponentet dhe kritikët e pushtetit ka qenë një metodë e njohur e regjimit stalinist. Shqetësuese gjendja e krijuar nga eksponentët e partisë në pushtet dhe paterica mediatike të Qeverisë. Çdo kritikë që vie nga LDK dhe kryetari i saj, shpura e pushtetit mobilizohet që, ose ta mbulojë me zhurmë e pështyma, ose e orientojnë diskursin publik që kritikën ta kundrojnë si narrativë të Aleksandar Vuçiçit:, ka shkruar Halimi.
Pavarësisht këtyre zërave, ajo ka bërë me dije se LDK-ja nuk do të ndalet.
“Ata sëvoni kanë shpikur një stigmë të re, diagnoza psikiatrike, të tipit “Skizofrenë, gjendje të rënduar emocionale, të gjorë” etj. Kosova meriton një qeverisje të mirë e të përmbajtur, prandaj kjo qasje e tyre nuk është asgjë tjetër vetëm shpërfaqje e humbjes së tyre në kohë dhe hapësirë, duke mos pasur as ekspertizë dhe as vizion. LDK, pavarësisht këtij realiteti obscurant të krijuar, nuk do të ndalet së angazhuari për një Kosovë demokratike që deplason dhe lufton gjuhën e urrejtjes dhe polarizimin e shoqërisë", ka shkruar Halimi.