Hakmarrja brutale e pushtetit veç brenda një dite - NACIONALE

Hakmarrja brutale e pushtetit veç brenda një dite

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Tri hakmarrje brutale të pushtetit të Vetëvendosjes, të gjitha me vende pune janë raportuar këtë të enjte. Dy zyrtarë policorë që po hetonin afera korruptive u degraduan, bash një ditë para se Ministrja Rozeta Hajdari të paraqitej para Prokurorisë, si shkak hetimi i tyre, e një tjetër qytetar u largua krejt nga puna, kjo mu në ditën që kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj Fitore Pacollit.

Hakmarrja me protestuesin e Pacollit

Agim Pllashniku, personi i cili protestoi kundër Fitore Pacollit, për grandet që kishin përfituar familjarët e saj, e përçka tha se u shty nga asistenti i saj, çka bëri atë ta padisë Pacollin, sot ka marrë lajmin e hidhur se i është shkëputur kontrata e punës.

Pllashniku që punonte në Ibër-Lepenc, i cili udhëhiqet nga njeriu i Vetëvendosjes, Faruk Mujka, nga sot nuk është pjesë e kësaj ndërmarrje. Mujka, që vet ishte arrestuar e i ishin sekuestruar një shumë e majme të hollash, nënshkroi vendimin për t’ia ndërprerë marrëdhënien e punës Pllashnikut.

Avokati i Pllashnikut tha se “nuk ka bazë ligjore”, dhe se “s’kishte as një vërejtje të mëparshme”, përçka e cilësoi vendimin si hakmarrje, sipas tij, sikurse në Korenë e Veriut.

Hetuesit

Nacionale sot publikoi hulumtimin për degradimin e dy hetuesve nga Policia e Kosovës.

Ata u larguan nga Njësia e Veçantë që e lufton korrupsionin dhe njëri u dërgua në Skënderaj, tjetri në Malishevë.

Pra, nga hetues të milionave, në mbikëqyrës të patrullave.

Këtë vendim, ata e kishin pranura ditën e djeshme. Saktësisht, një ditë para se për rastin e rezervës të intervistohej Rozeta Hajdari.

Të dy hetuesit e degraduar, kishin qenë në krye të hetimeve për këtë rast që nga dita e parë.

Hulumtimi:

Doarsa Kica-Xhelili e Lidhjes Demokratike të Kosovës këtë e përkthen në terma të thjesht pushteti dhe ndëshkimi: “E heton VV-në – të pret hakmarrja”. Dhe degradimi i njërit, për nga tajmingu, përsosmërisht para se të thirrej Rozeta Hajdari nga Prokuroria Speciale: ku ka vendosur brenda të mbrohet në heshtje, por që jashtë të sulmojë organet e ndjekjes me zë.

“Kur policët ndëshkohen pse hetojnë qeverinë demokracia nuk është më funksionale. Është fasadë. Në Hungari, hetuesit e papërshtatshëm zëvendësohen. Në Rusi, largohen. Në Venezuelë, shtypen. Kudo, mesazhi është një: Preke pushtetin – dhe pushteti t’a ‘tregon vendin’”, shkroi Kica-Xhelili.

Deputetja e Partisë Demokratke të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, reagoi poashtu duke thënë se qeveria (tash në detyrë) e Vetëvendosjes lufton ata që luftojnë korrupsionin.

“Në rast se këto raportime qëndrojnë, ky është sinjal i qartë, se kush guxon të prekë të pushtetshmit, ndëshkohet. Sepse, në vend që të mbrohen hetuesit, pushteti po i largon nga rastet e mëdha, duke penguar hetimet dhe duke e kthyer drejtësinë në farsë. Nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit pa mbrojtur ata që e luftojnë korrupsionin”, shkroi ajo.

Gazetari Lirim Mehmetaj pas raportimit të Nacionales e quajti “pushtet të frikshëm” mënyrën e degradimit të dy policëve me vendim të drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhës, i cili, tashmë në strukturat udhëheqëse e sheh “të dirigjuar politikisht nga Xhelal Svçela2.

“Hetuesin policor, Shaip Elshani, që po e hetonte Hajdarin, policia e ka transferuar në Malishevë. Kurse Idriz Gashin në Skenderaj. A po e kuptoni që kjo është ndërhyrje e padëgjuar më parë në Kosovë, ku hetuesit tërhiqen pothuajse në fund të rastit”, tha ai.

“Për ata që nuk e dijnë, hetuesi policor është personi kryesor në rast, sepse ai është i ngarkuar me gjetjen e fakteve dhe prezantimin e tyre para prokurorit. Shtet mafi. Pushtet i frikshëm”, përfundoi Mehmetaj.

Lajme të ngjashme