Befason Kurti: Nis ‘koordinimin’ me QUINT-in për hapjen e Urës së Ibrit - NACIONALE

Befason Kurti: Nis ‘koordinimin’ me QUINT-in për hapjen e Urës së Ibrit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Hapja e Urës së Ibrit “është çështje kohe” dhe “dikur këtë verë”.

Janë dy këto nga deklarimet të bëra nga institucionet shtetërore kosovare muajve të fundit që kishin ngritur brenga në mesin e diplomatëve dhe akterëve ndërkombëtarë të sigurisë në vend.

Shqetësimet shpreheshin rreth implikimeve të mundshme në pikturën e përgjithshme të sigurisë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Më vokali në vlerësime—dhe në cilësime jo të zakonshme për një diplomat—kishte qenë ambasadori italian në Prishtinë, Antonello De Riu, i cili e kishte parë këtë lëvizje të paralajmëruar si një gjë që po synohej me “qëllime tipike politike, simbolike dhe zgjedhore”.

Shihni ka siguria”, pati thënë ai në dy intervista brenda një kohe të shkurtër muaj më parë kur kjo temë ishte zgjeruar anekënd vendit si gjë që do të bëhej dita-ditës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkërisht me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi dhe Ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, sot pritën ambasadorët e pesëshes së QUINT-it, e ku u njoftua se temë bisedimeve kishte qenë hapja e Urës së Ibrit, dhe kjo, siç kanë kërkuar këto gjatë thuajse tërë kohës, të bëhet me “koordinim”.

Ndonëse fjala “koordinm” tashmë ka marrë thuajse konotacion me automatizëm negativ—e në raste nga pushteti është shndërruar edhe në fjalë të ndytë—Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media shkroi kështu:

Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, shkruan Qeveria.

Nacionale nga burime të mirëinformuara brenda takimit arrin të kuptojë që për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit nuk ka pasur kundërshtime nga ana e QUINT-it; dhe se kryeministri ka dhënë pikëpamjet e tij për atë se si të hapet ura.

Në të vërtetë ishte vetëm hapi i parë në procesin e diskutimit për këtë çështje”, tha për Nacionalen ky burim.

Vëretjet e deri më sotme

Ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kohëve të fundit ka thënë se “nëse palët janë të interesuara, jam i lumtur që ta vendos këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të kryengociatorëve”; por, nga pala kosovare askush s’ka dhënë indikacione se kjo çështje mund të vendoset në tryezën e dialogut.

“Presim mençuri”

Ky pati qenë mesazhi i drejtuesit të Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovës (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, në kontekstin e lajmërimeve ditë e më të mëdha për hapjen e Urës së Ibrit; vendim ky i marrë qysh në prill të vitit të kaluar nga qeverisja që sapo kishte ardhur në krye të Mitrovicës së Veriut, nga një proces zgjedhor me legjitimitet të vakët, ndonëse krejtësisht legal.

EULEX-i, mision ky edhe faktikisht reaguesi i dytë i sigurisë në rast përshkallëzimi në veriu e banuar me shumicë, shprehej se i frikësohen “implikimeve serioze që mund të ketë në siguri” hapja thjesht-ashtu e Urës së Ibrit për qarkullim. Kështu i pati thënë “KosovaPress”-it, Barbano.

Kjo është diçka që duhet trajtuar në kuadër të dialogut; natyrisht, është një aspekt për të cilin ne jemi të shqetësuar sepse mund të ketë implikime serioze në siguri. Dhe ne presim që mençuria të përdoret në këtë drejtim”, tha Barbano.

Ne vazhdimisht jemi të angazhuar në monitorimin e situatës, parandalimin e krizave të mundshme, dhe duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me akterët e tjerë në atë që quhet teknikisht, sistemi i sigurisë tre shtresash në Kosovë, ku reaguesi i parë i sigurisë është Policia e Kosovës, reaguesi i dytë i sigurisë është EULEX-i, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, dhe i treti është KFOR-i”, pati përfunduar Barbano.

Lajme të ngjashme