Guri mori fjalën në Kuvend, Musliu tregon se si e bullizuan Kusari, Gërvalla e Pacolli derisa po fliste
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka bërë me dije se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë bullizuar gjatë seancës së sotme deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri.
Ky i fundit, mori fjalën në seancën e sotme dhe sipas Musliut, në vend që të mbështetej në hapat e parë të tij në Kuvend, u përballe me fushatë të organizuar talljeje dhe ofendimi për emrin dhe moshën e tij.
Në bazë të kësaj fushate, ajo thotë se ishin Mimoza Kusari, Donika Gërvalla dhe Fitore Pacolli.
“Deputeti i ri, Parisi, në vend që të inkurajohej dhe të mbështetej në hapat e parë të tij në Kuvend, u përball me një fushatë të organizuar talljeje dhe ofendimi, jo për përmbajtjen e fjalës së tij, por për emrin dhe moshën e tij.
Ky është një akt i dënueshëm në vetvete, por bëhet edhe më i shëmtuar nga fakti se në ballë të kësaj fushate bullizuese ishin tri gra: Mimoza Kusari, Donika Gërvalla dhe Fitore Pacolli.
Një veprim i tillë jo vetëm që shkel parimet bazë të etikës parlamentare, por dërgon edhe një mesazh të rrezikshëm për rininë e angazhuar në politikë, se në vend të inkurajimit, do të përballen me përbuzje e përqeshje” – ka shkruar ajo.
Në fund, Musliu ka thënë se një qasje e tillë e VV-së ndaj një deputeti të ri është e frikshme dhe e papranueshme.
“Qasja e Vetëvendosjes ndaj një deputeti të ri është e frikshme dhe e papranueshme. Nëse një emër ose një moshë e re është arsye për t’u përbuzur në Kuvend, atëherë çfarë mesazhi u jepet të rinjve që duan të kontribuojnë për vendin?” – ka thënë ajo.