Gucati: Rrëzimi i mocionit të palës mbrojtëse, vendim arbitrar i Gjykatës Speciale
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për të rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të OVL-UÇK-së.
Ai ka vlerësuar se vendimi i sotëm e Speciales ishte i padrejtë dhe arbitrar.
Në profilin e tij në “Facebook”, Gucati ka shkruar se kjo është një padrejtësi e radhës që po iu bëhet ish-krerëve të UÇK-së.
“Sot, bashkë me miq dhe bashkatdhetarë, ishim të pranishëm në seancën e Gjykatës Speciale, ku me një vendim të padrejtë dhe arbitrar, u hodh poshtë mocioni i mbrojtjes për lirimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në fuqi të gjitha akuzat. Kjo nuk është drejtësi. Kjo është një padrejtësi e rëndë që po i bëhet luftës sonë të drejtë për liri. Është një vendim që më shumë ngjan me hakmarrje politike sesa me një proces të drejtë gjyqësor. Sot, çlirimtarët e Kosovës, burrat që i prinë luftës për çlirim, duhej të liroheshin dhe të ktheheshin në atdhe, pranë familjeve të tyre dhe popullit që i do dhe i respekton. Ata nuk meritojnë të mbahen pas grilave, ata meritojnë nderim dhe përkrahje”, ka shkruar ai.
I pari i OVL-UÇK-së iu ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të reagojnë dhe të mos heshtin ndaj trajtimi që kjo gjykatë po ua bën ish-krerëve të UÇK-së.
“U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, nga Presidentja, Kryeministri e deri te Kuvendi, që të reagojnë me forcën dhe dinjitetin që kërkon kjo situatë. Nuk mjafton vetëm heshtja apo deklaratat formale kërkohet që Kosova zyrtare të dalë hapur në mbështetje të bijve të saj që u flijuan për lirinë që sot ne e gëzojmë. Liria nuk është krim. Lufta jonë nuk ishte luftë pushtuese, por një betejë për jetë, dinjitet dhe të drejtë. Është koha të jemi të bashkuar dhe të vendosur për të mbrojtur vlerat tona, historinë tonë dhe ata që e shkruan me gjak lirinë tonë”, ka shkruar Gucati.
Gjatë seancës se sotme ku është shpallur ky vendim, Gucati së bashku me deputetin e PDK-së, Artan Behrami, afaristin e njohur Ilir Veçili dhe disa shokë të tjerë ishte prezent në sallë.