Grupi i Ekspertëve për Dialog, burrat hijerëndë që s’dihet çka e këshillojnë Qeverinë Kurti - NACIONALE

Grupi i Ekspertëve për Dialog, burrat hijerëndë që s’dihet çka e këshillojnë Qeverinë Kurti

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Prilli i 2022-tës shënon një vjetorin e themelimit të Grupit të Ekspertëve për Dialogun, që për qëllim ka ofrimin e analizave e raporteve për Qeverinë Kurti rreth dialogun me Serbinë.

Në cilësinë e ekspertëve të jashtëm, Veton Surroi, Blerim Shala, Leon Malazogu e Muhamet Mustafa ka një vit që këshillojnë Qeverinë e Kosovës në lidhje me tema të ndryshme të dialogut.

E gjithë kjo u bë mbi bazën e një Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së udhëhequr nga kryeministrit Albin Kurti, Ambasadës së Norvegjisë dhe Grupit për Ballkan.

Gazeta Nacionale është interesuar se për punën gati 12 mujore të këtij grupi duke pyetur Zyrën e Zëvendës Kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, që është personi përgjegjës për takimet me ekspertët e jashtëm.

Si zakonisht, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje në adresë të Nacionales duke e lënë enigmë veprimtarinë një vjeçare të Surroit, Shalës, Malazogut e Mustafës.

Megjithatë një përgjigje relativisht të gjatë e ka kthyer Naim Rashiti, udhëheqës i Grupit për Ballkan, që si organizatë e shoqërisë civile është pjesë e memorandumit.

Ai i tha Nacionales se organizata që udhëheq përfshihet në shumë aktivitete dhe se për përformancën e ekspertëve të jashtëm pyetur përfituesit e që në këtë rast Qeverinë e Kosovës.

Të gjithë këta ekspert të fushave të ndryshme, të përzgjedhur me kujdes, bëjnë punë të vlefshme, të pa ndërprerë dhe përgatisin shumë dokumente e politika për institucionet. Sipas kontratave dhe marrëveshjeve, ata i raportojnë dhe veprojnë nën direktivat e përfituesve dhe Grupit për Ballkan i raportojnë vetëm në vija të trasha dhe listen e numrin e detyrave të kryera për të përmbushur obligimet kontraktuale. Prandaj për përformancën e ekspertëve të jashtëm dhe produket që i përgatisin ata, vetëm përfituesit mund të japin vlerësime apo informata”, tha Rashiti për Nacionale.

E kritika rreth grupit kanë analistët politik.

Shkodran Ramadani, opinionist, i tha Nacionales se që nga themelimi është kuptuar se grupi nuk do të jetë serioz për shkak të përbërjes së tij.

Themelimi i këtij grupi prej fillimit e kam ditë që s’ka me qenë serioz. Ka qenë një përpjekje me zgjeru rrethin e ekipit negociator meqenëse ka qenë vetëm një parti në Qeveri është llogaritur sikur nuk ka konsensus. Dhe po ashtu për shkak të mungesës së përvojës në dialog dhe negociata ka dashtë me rritë kredibilitetin e dialogut të tij duke rekrutuar persona që kanë qenë më herët në negociatave e konferencave ndërkombëtare si Veton Surroi dhe të tjerë”, tha Ramadani.

Ramadani ka përmendur edhe rastin e largimit të Bernard Nikajt, tash anëtar i PDK-së, e distancimin e Robert Muharremajt në lidhje qëndrimet e Qeverisë rreth hapjes së arkikave të UÇK-së. Madje ky i fundit pas publikimit të artikullit ka njoftuar Nacionalen se nuk është më pjesë e Grupit të Ekspertëve.

“Roli i tij do të jetë minor, do të jetë më shumë në cilësinë e aksesorit dhe një shtojcë të një ekipi që Kurti do ta ndërtojë me Qeverinë e tij. Kështu që nuk e shoh shumë relevante”, shtoi Ramadani.

Ndërsa për Adi Beqirin, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare nga Shkolla e Diplomacisë në Gjenevë, ka kritikaur mos transparencën e Qeverisë Kurti rreth dialogut e veprimtarisë së Grupit të Ekspertëve.

Teoricienë politikbërës liberalë, në fillim të shekullit XX, dhe jo vetëm, pohonin se diplomacia sekrete është një ndër shkaktarët e konflikteve dhe luftërave. Pra, jo transparenca, diplomacia sekrete, nuk shkojnë me nocionin e demokracisë liberale. Në këtë drejtim, përveç 'tradhtisë' ndaj ideve e nocioneve qe kjo qeveri mëton t'i përqafojë, nuk e shoh se si Qeveria e Kosovës mundet ta gjejë të dobishme jo transparencën rreth dialogut. Në fund të fundit, si demokraci që mëtojmë të jemi/bëhemi, Qeveria duhet ta ketë të qartë rëndësinë e transparencës për çështje madhore. Dhe jo vetëm”, tha Beqiri.

Kujtojmë që katër muaj pasi u themelua grupi, Bernard Nikaj, ish ambasador i Kosovës dha dorëheqje pas anëtarësimit në PDK, partinë më të madhe opozitare.

Ndërsa, dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë vitin e fundit është karakterizuar me përplasjen ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Njëkohësisht, në shumë raste, dy ekipet negociatore kanë diskutuar për çështje teknike si puna e targave e stikerave.

Bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht SHBA, ka kohë që kanë kërkuar dinamizim të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me epiqendër njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

Përditësim:

Pas publikimit të këtij artikulli, Robert Muharremi, profesor i njohur, ka bërë të ditur për Nacionale që tashmë nuk është pjesë e Grupit të Ekspertëve për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, emri i tij në artikull si pjesë e grupit është larguar. Njëjtë edhe figura e tij në foto është larguar.

Lajme të ngjashme