Gruda: Deklarimet publike të dorëheqjeve kanë fuqi juridike, vazhdimi i punës në ekzekutiv përbën shkelje kushtetuese
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, deklaroi se gjatë mbledhjes së Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve nuk u prezantua asnjë dokument zyrtar që dëshmon dorëheqjet individuale të anëtarëve të Qeverisë Kurti.
Sipas Grudës, gjatë mbledhjes, u dhanë vetëm deklarata verbale nga ana e ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, të cilat siguruan komisionin se dorëheqjet janë bërë.
“E vërteta është që nuk janë prezantuar dorëheqjet, por ministrja [në detyrë e Drejtësisë, Albulena] Haxhiu dhe Mimoza Kusari-Lila kanë garantuar që ministrat kanë dhënë dorëheqje në mënyrë individuale. E dyta, janë deklaruar publikisht që kanë dhënë dorëheqje. Ne kemi thënë, ‘në rregull, këto gjëra që po i thoni ju do t’i evidentojmë në procesverbal të Komisionit dhe mbani përgjegjësi ligjore nëse nuk keni dhënë dorëheqje’”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se për PDK-në, këto garanci verbale dhe deklaratat publike të anëtarëve të Qeverisë ishin të mjaftueshme për të mos e penguar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe kanë fuqi juridike.
“Ne thamë që deklarimet publike në media dhe deklarimi në komision konsiderohen të mjaftueshme dhe kanë fuqi juridike sepse edhe ashtu është jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai për
Megjithatë, Gruda ka paralajmëruar nëse këta persona vazhdojnë të ushtrojnë funksionin ekzekutiv pas marrjes së mandatit parlamentar, atëherë kjo do të përbente “shkelje Kushtetuese.”
Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës kanë dhënë betimin, pasi Komisioni për Verifikimin e Mandateve konfirmoi legjitimitetin e tyre.
Seanca u pezullua dy herë për shkak të refuzimit fillestar të opozitës për të votuar raportin e komisionit për arsyen se, sipas tyre, ministrat në detyrë synuan të mbanin dy postë njëkohësisht, atë të ministrit dhe të deputetit – çka ata e konsideruan të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese.
Duke iu referuar Ligjit për Qeverinë, Gruda shpjegoi ditë me parë se ky ligj kërkon dorëheqjen e anëtarit të Qeverisë në detyrë – ndryshe nga anëtarit i Qeverisë në dorëheqje, që është tjetër kategori kushtetuese – i kërkon që me t’u dorëhequr “efektivisht mos m’e shku më në punë”.
“Ajo që shpjegohet në Kushtetutë si qeveri në dorëheqje është qeveri e cila është shkarku prej Kuvendit, është votu mocioni i mosbesimit ose kryeministri ka dhanë dorëheqje. E tash kjo nuk është rasti. Kjo qeveri nuk është qeveri në dorëheqje, por në detyrë. E kësaj qeverie në detytë, ligji i kërkon m’e dhanë dorëheqje sepse ato zëvendësohen nga zëvendës ministrat”, tha Gruda.