Grenell shpërndan reagimin e Ramës ku e quan Specialen “tribunal i turpshëm” pasi s’e lejuan Thaçin në varrimin e babait
Emisari i Posaçëm për Misione të Posaçme i ShBA-së, Richard Grenell, ka ripostuar shkrimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili e quajti Gjykatën Speciale një tribunal “të turpshëm dhe të paturpshëm” që, tha ai, ka shndërruar drejtësinë ndërkombëtare në një farsë.
Reagimi i Ramës erdhi pas vendimit të Speciales për të mos lejuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, i cili u nda nga jeta më 16 mars.
“Një poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturpshëm, i cili e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Parlamentit të Kosovës në bumerangun më brutal!”– shkroi Rama.

Ish-emisari amerikan për Ballkanin, Richard Grenell, mbetet një nga kritikët më të ashpër të Gjykatës Speciale. Së fundmi, në mesazhin e tij për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ai shprehu shqetësimin për trajtimin e Speciales ndaj Thaçit.
Ai e quajti Thaçin "atë themeltar" të shtetësisë së Kosovës duke shtuar se ai "do të duhej të ishte në Prishtinë duke festuar, e jo prapa grilave në Hagë."
“I uroj të gjithë miqve të mi në Kosovë festime të gëzueshme dhe të qeta në shtatëmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë.
Sidoqoftë, ky hap historik është në hije të një padrejtësie të madhe. Ati themeltar i shtetësisë së Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, do të duhej të ishte në Prishtinë duke festuar, e jo prapa grilave në Hagë.
Evropianët kanë dështuar të veprojnë kundër kësaj padrejtësia në pesë vitet e fundit. Dhe, institucionet kosovare shtetërore kanë dështuar të ndërmarrin veprimte e nevojshme ligjore për ta ndalur këtë padrejtësi, për shkaqe politike.
Kjo burgosje e gabueshme duhet të marrë fund”, ka shkruar Grenell.