“Grenelli e ka kuptuar gabimin”: Eksponentë të VV-së e quajnë “imperative” votimin e Kurtit pas fitores së Trumpit - NACIONALE

“Grenelli e ka kuptuar gabimin”: Eksponentë të VV-së e quajnë “imperative” votimin e Kurtit pas fitores së Trumpit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka uruar me një urim tre rreshtësh Donald Trumpin për fitoren e tij në garën presidenciale të 5 nëntorit. Fitorja e Trumpit nënkupton një mundësi të rikthimit të Richard Grenellit, ish-emisar i ShBA-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Tashmë eksponentë të ndryshëm të VV-së kanë komentuar rizgjedhjen e Trumpit dhe mundësinë e rikthimit të Grenellit.

Dy prej këtyre eksponentëve kanë kërkuar që të votohet në mënyrë masive VV-ja. I pari që shkroi në këtë formë ishte Enis Sulstarova, aktivist i VV-së nga Shqipëria. Sulstarova, të cilin Kurti e kishte quajtur “profesor dhe mik”, ka shkruar se tash është imperative të votohet VV-ja.

Rihyrja e Trampit në Shtëpinë e Bardhë shton pasigurinë në Evropë. Rusia dhe aleatët e saj shpresojnë që kursi i deritanishëm amerikan të ndryshojë në favorin e tyre. Tani është imperative që në Kosovë të votohet masivisht lista e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe e aleatëve të saj” – ka shkruar Sulstarova, transmeton Nacionale.

Në këtë linjë të argumentimit ishte edhe Sadri Ramabaja, aktivist i VV-së dhe analist i përhershëm në Debat Plus. Ramabaja ka pasur një analizë krejt ogurzezë pas fitores së Trumpit, duke shkruar se ky është fundi i demokracisë liberale.

Madje, Ramabaja shkroi se zgjedhjet e 9 shkurtit “marrin karakter plebishitar”, duke theksuar se duhet rizgjedhur Kurti si kryeministër.

Që të ruajmë integritetin territorial dhe të ardhmen si Komb, dy republikat tona duhet të marrin vendime urgjente që do të rezultonin me krijimin e Federatës Shqiptare.

Për këtë arsye zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 marrin karakter plebishitar. Kosova duhet ta konfirmojë maturimin e saj politik duke rizgjedhur Albin Kurtin në pozicionin e tij aktual dhe duke i dhënë fuqi edhe më stabile qeverisjes për mandatin e ri.

Republika ka nevojë për lider të fortë” – ka shkruar Ramabaja, ndër të tjera.

Më i moderuar në qëndrim ishte Dimal Basha, deputet i VV-së. Në një emision në Tëvë 1, Basha e retushoi historinë, duke thënë se Kurti nuk ka pasur probleme me Grenellin, ndonëse vetë Basha kishte pasur sulme të ashpra ndaj Grenellit.

Nuk ka arsye për mu frikësuar. Me ShBA-në s’kemi pas përplasje, Kurti është kryeministër i Kosovës, ka mbrojtur interesat e veta, me z. Grenell s’kemi pas përplasje kemi pas mospajtime sikur kemi edhe me ambasadorin Hovenier. Mendoj që objektivat i kemi të njëjta që Kosova me mbet një shtet demokratik edhe me vizion euro-atlantik” – tha mbrëë Basha, ndër të tjera.

Ndërsa deputeti tjetër i VV-së, Halil Thaçi, për një moment foli sikur të ishte zëdhënësi i Grenellit, duke thënë se Grenelli e ka kuptuar gabimin. Tutje, Thaçi e cilësoi se Amerika është kryemiku i Kosovës.

Mund të ketë gabime të zyrtarëve amerikan që kanë bënë ndërhyrje në punët që nuk ju takojnë siç ishte ajo me Grenell që kishte inat personal me qeverinë e atëhershme. Grenell e ka pa gabimin e tij që e ka bërë me qeverinë e atëhershme… Kryemiku i Kosovës është Amerika. Jemi mirënjohës popullit amerikan për ndihmën e tyre para luftës gjatë dhe pas, pavarësisht kush e fituar garën është mik i yni” – u shpreh Thaçi, transmeton Nacionale.

Lajme të ngjashme