Grenell te Intervista e Buzhalës: Konfrontohet për raportin e tij me Vuçiqin, flet për “largimin” e NATO-s nga Kosova - NACIONALE

Grenell te Intervista e Buzhalës: Konfrontohet për raportin e tij me Vuçiqin, flet për “largimin” e NATO-s nga Kosova

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-emisari i ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka qenë i ftuar në Intervistën e Buzhalës, ku ka folur për shumë gjëra, duke përfshirë edhe kriminelët serbë në veri, situatën atje, situatën gjatë administratës Trump, e çështje të tjera.

Një prej pyetjeve që iu shtrua atij nga gazetari Berat Buzhala, ishte edhe ajo që kishte të bënte me qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.

“Unë do të isha shumë skeptik për të shkuar atje. Dëgjo, unë kam një mendim të fuqishëm për qeverinë tonë dhe ai është publik. Ne ndajmë disa mendime të njëjta sa i përket situatës, por ajo për të cilën nuk do të pajtohesha me ju është sa i përket qasjes që Qeveria e Serbisë e ka ndaj Kosovës, sidomos presidenti Vuçiq, miqtë më të mirë të të cilit janë në listën e zezë të qeverisë amerikane, si Radojçiqi, Veselinoviqi, ata e kontrollojnë pjesën veriore të Kosovës. Është situatë goxha e vështirë.” – tha fillimisht Buzhala.

Grenell u përgjigj me këto fjalë: “Shiko, unë jam shumë rehat që ti dhe unë mund të jemi miq dhe të kemi pikëpamje të ndryshme”.

Tutje, Grenell arsyetoi qëndrimin e tij duke thënë se ai nuk ka lindur dhe nuk është rritur në rajon, dhe s’i ka emocionet e njëjta si të bashkëfolësit, apo edhe të tjerëve.

“dhe, për këtë çështje në veçanti, mendoj se jam më i baraspeshuar se ti dhe ja pse, më lejo që vetëm ta them këtë. Unë nuk jam rritur në këtë rajon. Nuk jam lindur këtu. Nuk i kam emocionet e njëjta, siç i keni ti dhe të tjerët. Unë kam respekt të plotë për këtë dhe ndoshta do të shkoja aq larg, sa do të thosha se ju ndoshta e kuptoni goxha më mirë situatën se unë, por ka vlerë që t’i bësh njerëzit që nuk janë të lidhur me emocionet të shikojnë nga e ardhmja. Pra, a do të bëj unë gjëra që ju bëjnë të ndiheni jo rehat, për shkak se ju po shikoni nga e kaluara dhe po thoni: “Prit një minutë. Ti nuk e di se çfarë kanë bërë ata ose kushdo”?. E kuptoj këtë, e respektoj këtë dhe nuk dua që të dukem si shpërfillës ndaj kësaj, por unë dua që edhe ju të kuptoni se unë kam një dobi dhe se ju duhet ta shikoni dobinë që unë e sjell në tavolinë dhe e cila është: unë jam joemocional për të kaluarën dhe jam shumë emocional për të ardhmen.” – tha ai.

Buzhala tutje e pyeti ish-emisarin Grenell se a ka folur ndonjëherë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, derisa i përmendi se ai ka qenë ministër i Informacionit të kriminelit serb, Slloban Millosheviq.

“Ai kurrë nuk ka bërë një dallim të qartë nga e kaluara e tij. Shumë njerëz u vranë, jo vetëm në Kosovë, kudo në rajon, gjë e shkaktuar nga ushtria serbe, bombarduar nga forcat e NATO-s. Ai vetë ishte në krye. Pra, a keni pasur mundësi që të flisni me të dhe ta pyesni: A je penduar, të paktën, për atë që e ke bërë dhe për atë se kush je? – pyeti Buzhala.

Grenell e konsideroi këtë një “pyetje legjitime”, dhe deklaroi se “kurrë nuk do të jetë aq emocional për të kaluarën, dhe se po mundohet t’i bind të dyja palët se sheh kah e ardhmja.

“Shiko, mendoj se pyetja juaj është pyetje legjitime, por unë vetëm do të kthehesha të përgjigjja ime e kaluar, që është: është një përfitim i madh pasja e një personi – përsëri, nuk jam më në qeveri, pra ka përfitim që të keni një ish-gjyqtar. Është dikush që nuk shikon në të kaluarën, dhe, përsëri, kur flas për mospasjen e emocioneve të së kaluarës, unë kuptoj se disa njerëz do ta shikojnë këtë dhe do të thonë: “Ti je i pandjeshëm ndaj nesh, je budalla, nuk kupton.” E kuptoj këtë. Kurrë nuk do të jem aq emocional për të kaluarën, por është një dobi në këtë dhe e tëra që unë po mundohem ta bëj është që t’i bind të dyja palët se unë shikoj nga e ardhmja. Unë dua që fëmijët tuaj, fëmijët tanë të mos jenë të detyruar për të shkuar në Gjermani, në Hungari e në Poloni për të gjetur një vend pune. Dua që ata të qëndrojnë këtu, të qëndrojnë në pjesën veriore, të qëndrojnë në Beograd, në Tiranë e në Prishtinë dhe dua që njerëzit të thonë “Ne po punojmë së bashku për të ndërtuar një ekonomi.” – u shpreh ai.

Grenell foli edhe rreth një deklarate që kishte bërë para disa ditësh, rreth mundësisë së largimit të trupave të NATO-s nga Kosova gjatë kohës kur ai punonte në Administratën Trump.

Krejt këtë, ai deklaroi se dëshironte ta bënte që t’u dërgohej një mesazh i qartë kompanive perëndimore se mund të investonin në Kosovë.

“Ky konflikt i perceptuar që e kemi, shumë kompani perëndimore nuk do të vijnë këtu për të ndërtuar fabrika prodhimi dhe të ofrojnë vende shumë të mira pune për shkak të një konflikti të perceptuar. Njëra ndër arsyet pse, kur unë isha duke i bërë këto negociata, isha i ngazëllyer që po lëviznim përpara dhe fillova që të flisja për largimin e forcave të NATO-s. Njëra nga arsyet pse desha ta bëja atë, ishte sepse doja të dërgoja një porosi të qartë te kompanitë perëndimore se ky ishte një vend për të ardhur këtu, se mund të punësonin njerëz shumë të mirë dhe se nuk duhej të brengoseshin për sigurinë dhe tani, tre vjet më vonë, kam shumë njerëz për të fajësuar, por tre vjet më vonë, jemi në një situatë më të keqe.” – tha ai.

Tutje, Grenell deklaroi se aktualisht në Kosovë, po shtohen trupa të NATO-s, në vend të largimit të tyre.

“Po shtojmë forca të NATO-s, në vend të largimit të forcave të NATO-s. Më duhet ta them këtë. Unë jam person politik, e dua Donald Trumpin dhe ky rajon ishte më mirë gjatë mandatit të Donald Trumpit.” – tha ai.

Më poshtë, mund të ndiqni një pjesë nga Intervista e Buzhalës me Richard Grenell, derisa ditëve në vijim, Nacionale do t’i publikojë edhe pjesët e tjera:


Lajme të ngjashme