Grenell: S’paguhem nga Qeveria e Serbisë, s'ndihem rehat kur i rrëzoj këto pretendime
Ka pasur spekulime e deklarata në rrjete sociale se ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell paguhet nga Beogradi. Te Intervista e Buzhalës, ai ka demantuar një gjë të tillë, duke thënë se s’ndihet rehat as kur duhet t’i rrëzojë këtë pretendime. Çka tjetër tha ai.
Ish-emisari Grenell ishte i ftuar në një intervistë me gazetarin Berat Buzhala, ku u pyet edhe rreth spekulimeve se ai paguhet nga Beogradi.
“Po, e kam parë këtë më parë. Qesharake. Kurrë nuk kam marrë të holla prej tyre. Nuk ndihem rehat as kur më duhet që ta rrëzoj këtë.” – tha ai duke folur për këtë çështje.
Grenell shtoi se “jetojmë në një botë ku ka thashetheme” dhe tha se ka pranuar nderet më të mëdha nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, derisa pati një pyetje.
“ Por e kuptoj. Jetojmë në një botë ku ka thashetheme dhe duhet t’i rrëzoni ato. Më lejoni të them diçka për këtë thashetheme të neveritshme në veçanti. Ajo futet në zemrën e secilit person që mundohet për të zgjidhur probleme e që duhet të merret me të, që është: “Ti je i njëanshëm, ti je dikush që është i tmerrshëm në anën tjetër” dhe kjo dhemb, sepse unë jam shumë krenar për faktin që mendoj se jam qenia e vetme njerëzore që ka jetuar ndonjëherë në Tokë e që i ka pranuar nderet më të mëdha nga Qeveria e Kosovës dhe nga Qeveria e Serbisë. A njihni ndokënd që i ka pranuar të dy shpërblimet më të larta nga të dy qeveritë?” – u shpreh ish-diplomati amerikan.
“A do të ishte vështirë për Shtetet e Bashkuara që një zyrtar amerikan të merrte para nga qeveritë e huaja dhe, pastaj, të shpresojë që të jetë përsëri pjesë e qeverisë amerikane? A nuk filtrohet kjo?” – e pyeti Buzhala.
Grenell u përgjigj me këto fjalë: “Po, mendoj se kjo është e pamoralshme dhe nuk mund ta bëni”.
Ish-emisari qëndroi për vizitë në Kosovë këto ditë, dhe natyrisht, që u pyet edhe në lidhje me këtë çështje, derisa gazetari Buzhala përmendi se “është e pamundshme për shqiptarët që të shkojnë dhe të ecin atje.
“Ata rrahin gazetarë, rrahin civilë. A keni folur me ta?” – ishte pyetja tjetër.
Grenell ka thënë se ka folur me shumë njerëz, derisa sipas tij, shqiptarët mund të shkojnë atje.
“Po, kam folur me shumë njerëz. Shikoni, ju dhe unë kemi folur në të kaluarën për konfliktin e perceptuar. Ka konflikte të perceptuara, kur njerëzit thonë “Oh, kjo është situatë e tmerrshme, as që dua të shkoj atje” ose “besoj”. Mendoj se shqiptarët mund të shkojnë...” – u shpreh ai.
Vlen të theksohet se Grenell, në këtë intervistë ka folur rreth një deklarate që kishte bërë para disa ditësh, rreth mundësisë së largimit të trupave të NATO-s nga Kosova gjatë kohës kur ai punonte në Administratën Trump.
Krejt këtë, ai deklaroi se dëshironte ta bënte që t’u dërgohej një mesazh i qartë kompanive perëndimore se mund të investonin në Kosovë.
“Ky konflikt i perceptuar që e kemi, shumë kompani perëndimore nuk do të vijnë këtu për të ndërtuar fabrika prodhimi dhe të ofrojnë vende shumë të mira pune për shkak të një konflikti të perceptuar. Njëra ndër arsyet pse, kur unë isha duke i bërë këto negociata, isha i ngazëllyer që po lëviznim përpara dhe fillova që të flisja për largimin e forcave të NATO-s. Njëra nga arsyet pse desha ta bëja atë, ishte sepse doja të dërgoja një porosi të qartë te kompanitë perëndimore se ky ishte një vend për të ardhur këtu, se mund të punësonin njerëz shumë të mirë dhe se nuk duhej të brengoseshin për sigurinë dhe tani, tre vjet më vonë, kam shumë njerëz për të fajësuar, por tre vjet më vonë, jemi në një situatë më të keqe.” – tha ai.
Nacionale ditëve në vijim do të publikojë edhe pjesë të tjera nga intervista me ish-emisarin amerikan, Richard Grenell.
