Gratë pa prona  - NACIONALE

Gratë pa prona 

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pavarësisht infrastrukturës së kënaqëshme ligjore dhe në linjë me konventat ndërkombëtare, Kosova vazhdon të përballet me zbatim të ulët të trajtimit të barabartë gjinor në kontekstin e të drejtës së pronës. Normat zakonore vazhdojnë ta sfidojnë sistemin ligjor duke penguar të drejtën e pjesëmarrjes së grave në kushte të barabarta me burrat në aspektin e jetës politike, shoqërore dhe ekonomike.

Edhe ky tetë mars Kosovën e gjen me përqindjen më të ulët sa i përket pronësisë në emër të grave. Vetëm 18 përqind e pronave konsiderohen që janë të regjistruara si pronësi e grave sipas Programit për të Drejtat Pronësore të USAID-it, ku gratë përfshihen si pronare të tokave, shtëpive apo të ndonjë kapitali tjetër. Ndërkohë që sipas një studimu të EULEX-it Kosova rënditet më së ulëti sa i përket pronësisë së pronës së paluajtshme, ku vetëm 15 përqind e grave gëzojnë këto pronat në emër të tyre, duke u radhitur Bosnjës e Hercegovinës që numëron 25% të grave që posedojnë pasuri të paluajtshme, Malit të Zi me afër 30%, Shqipërisë me mbi 30% dhe Serbisë me afër 40%.

Për këtë gjendje, Luljeta Demolli, - Drejtore e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore fajson normat tradicionale në Kosovë, sipas saj, shoqëria kosovare si preferencë në familje e ka djalin.

“Ideja është që në familje rritesh me këtë mendësi që një tokë, një shtëpi, një kerr e gjërat materiale i kanë për djalin, e tani si shpërblim - djemt me i kqyr kur të plakën”, thotë Demolli, e cila mungesën e tokave si kapital në emër të grave e sheh problemin më të madh në aspektin trashëgimor .“Ni statistikë te USAID-it thotë të janë veç tre përqind, që është katastrofë për neve edhe në nivel bote”.

Ndërkohë një ndër problematikave më të mëdha ne kontekstin e pronësisë së paluajtshme për gratë jane shtëpitë apo objektet e banimit që kryesisht trashëgohet apo favorizon burrat në raport me gratë për shkak të zakoneve të trashëgimisë në Kosovë që kontribojnë në ruajtjen e vijës trashëgimore të burrave.

Në Kosovë nuk ka të dhëna të freskëta të numrit të shtëpive dhe banesave, mirëpo sipas statistikave të fundit të Agjensisë së Statistikave të Kosovës të vitit 2011, ku edhe është bërë regjistrimi i popullësisë, në atë kohë në Kosovë ekzistonin 248 mijë objekte banimi me më së paku një banorë, mirëpo sipas Qendrës Kosovare për Studime Gjinore këto lloj prona nuk janë më shumë se tre përqind në emër të grave. Dhe nëse e marrim për bazë këtë shifër, nga 248 mijë shtëpi e banesa, vetëm 7 mijë e 400 janë në emër të grave.

Për këto statistika Demolli lë fajtor institucionet që sipas saj kapitalin e orienton te burrat. Shembull për këtë Demolli thotë që janë shpronsimet e tokave nga institucionet. Unë them që shteti diskriminon. Kur bëhet shpronsimet si për autostradave shembull, shteti ka mujtë që mos me iu qitë pare për qito shpronësime pa u siguru që prona është e regjistrume në emër të të dy bashkëshortve.”, thotë Drejtorja e QKSGJ-së.

Sipas saj, edhe gjykatat shumëherë favorizojnë burrat kur ka konteste gjyqësor. “Edhe gjykatësi që vendos funksionon disi me norma patriarkale, se vetë e favorizon djalin e tij para vajzës, ose të gjithë pronën e ka emër të tij”, thotë ajo.

Argumenti i Demollit mund të mbështetët edhe një një hulumtim të BIRN-it në vitin 2019, ku është konstatuar se asnjë kryetar i gjykatave në Kosovë nuk posedon pronë të përbashkët me bashkëshorte, kurse nga 1,304 gra të përfaqësuesve qeveritarë të Kosovës, vetëm 35 prej tyre ndajnë kapitalin e paluajtshëm me bashkëshortët.

Luljeta Demolli - Drejtore e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore

Një ndër rastet juridike më të diskutuara në Kosovë është rasi i Shyhrete Berishës nga Suhareka të cilës oficerë të policisë serbe i kishin vrarë burrin dhe katër fëmijët më 26 mars 1999, duke qenë kështu e vetmja e mbijetuar e asaj familjeje. Pas luftës Shyretja ishte përballur me familjarët e ish-burrit të cilët i mohuan të drejtën që të trashëgoj shtëpinë ku kishte bashkëjetuar me familjen e saj. Ballafaqimin ligjor për këtë rast Shyhretja e kishte nisur që nga viti 2005, ndërkaq në vitin 2017 Gjykata Themelore në Prizren i kishte njohur gjysmën e shtëpisë si pronë të saj duke u mbështetur në Ligjin për Familje i cili e konsideron pasuri të veçantë edhe pasurinë e fituar përgjatë jetesës bashkëshortore, mirëpo vëllëzrit e ish-bashkëshortit u ankuan në Gjykatën e Apelit dhe që atëherë ky rst ka mbetur i pazgjidhur.

Nacionale ka pyetur Këshillin Gjyqësor të Kosovës se sa raste aktualisht janë në gjykata në kontekstin e pronësor të ish-lidhjeve bashkëshortore, mirëpo ky institucion ka thënë se nuk i posedojnë këto të dhëna. Pa përgjigje kanë qenë edhe në pyetjen se sa raste aktualisht janë të ndërlidhura me largimin nga shtëpia apo banesa. Sipas Këshillit Gjyqësor deri në gusht të vitit 2019, nga 164 konteste të ndërlidhura me largimin nga shtëpia apo banesa, 152 sosh ishin të pazgjidhura.

Ndërkaq nga viti 2016, me iniciativën e Agjensisë Kadestrale të Kosovës dhe Agjensisë për Barazi Gjinore, Qeveria e Kosovës kishte vendosur miratimin e një Udhëzimi Administrativ për masat e Veçanta për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në emër të të dy bashkëshortëve ku pasuria e cila krijohet gjatë një jetë bashkëshortore regjistrohet nga të dy bashkëshortët dhe nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e të dyve.

Agjensinë Kadastrale të Kosovës, nën arsyetimin se këto të dhëna marrin shumë kohë për shqyrtim, nuk ka dhënë përgjigje se sa është numri i pronave të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve dhe sa ka qenë para se ky ligj të hyjë në fuqi.

Por, sipas Luljeta Demollit kjo nuk ka pasur edhe aq efekt të lartë. “Prej 2008-ës e ka mbërri efektin e vet deri në pesë përqind, jo më shumë. Ka qenë diku 13 përqind pasuri e përbashkët, tash është rreth 18 përqindjen, nuk ka lëvizë më shumë”, përfundon Demolli.

Lajme të ngjashme