Gooding: Amerika e ndaloi luftën në Kosovë
Falë raportimeve të tij, publiku amerikan ishte njohur me skena të kampeve me refugjatë të Kosovës dhe varfërinë e madhe në Shqipëri. Në prag të pensionimit nga gazetaria, Mike Gooding, gazetar i njohur i 13News Now, e ka kthyer kohën 26 vjet pas kur raportonte nga Shqipëria për fushatën ajrore të NATO-s.
Me katër dekada përvojë në transmetime televizive, gazetari i 13News Now, Mike Gooding, disa ditë para pensionimit, i është rikthyer një historie të para 26 vjete.
Ajo ka të bëjë me kohën kur Gooding ishte një nga reporterët që e përcillnin fushatën ajrore të NATO-s më 1999.
Në emisionin e mëngjesit, kolegë gazetarë kanë përkujtuar kohën kur ai raportonte për avionëbartëset dhe anijet e marinës amerikane në Adriatik.
“Mike ishte atje në mes të gjithë asaj që po ndodhte”.
Me një paraqitje televizive, vetë Gooding ka përkujtuar se Shtetet e Bashkuara më 1999 kontribuan me trupa në luftën e udhëhequr nga NATO në Kosovë.
“Luftëanijet në Hampton Roads luajtën një rol të madh, që na çuan neve në Detin Adriatik dhe Shqipëri”, ka përkujtuar ai.
Me këtë rast, 13News Now ka ritransmetuar një kronikë televizive të prillit të 1999, në javën e pestë të Operacionit Forca Aleate, ku Gooding raportonte nga Shqipëria.
Duke ecur midis Tirane, ai jepte një tablo tejet interesante të kryeqytetit shqiptar.
“Qendra e Tiranës sigurisht duket e gjallë dhe e lulëzuar. Megjithatë, nuk ke nevojë të shkosh shumë kilometra jashtë qytetit për të parë skamjen e mjerimin me të cilët përballen shumica e shqiptarëve. Kjo e ngre pyetjen: nëse ndonjë vend mund t’ia dalë të marrë gjithë këta refugjatë, a do të jetë ky?”, shtronte pyetjen Gooding.
Reportazhi i tij sillte pamje refugjatësh nga Kosova, ku ndonjëri mbante ndonjë radio tranzistor në pritje të lajmeve nëse do të përfundonte lufta.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se më shumë se 600 mijë njerëz kanë ikur nga Kosova, dhe më shumë se 400 mijë prej tyre kanë përfunduar në Shqipëri. Më shumë se 10 mijë njerëz kanë vdekur në konflikt dhe rreth 1 milionë kanë mbetur të pastrehë”, raportonte asokohe Gooding për audiencat amerikane.
Po, kush ishte Mike Gooding?
Fitues i një çmimi Emmy për gazetari, emri i tij ka qenë sinonim për 13News Now.
Profili i tij si gazetar ka qenë si reporter ushtarak e politik.
Ai e filloi punën e tij prej gazetari më 1985, dhe detyrat e tij ç’prej atëherë përfshijnë punën si redaktor, producent spektaklesh, reporter e fotograf.
Ai udhëtoi gjithandej botës për të mbuluar çështje ushtarake, dhe këtu përfshihen Operacioni Southern Watch, Operacioni Allied Force në Kosovë, Operacioni Enduring Freedom (Gjiri persik) si dhe operacioni Iraqi Freedom.
Mike e fitoi Çmimin për Paraqitje të Dalluar nga Virginia Association of Broadcasters’ më 2013.
Ai ishte edhe fitues i një Emmy nga National Capital Chesapeake Bay Chapter of the National Academy of Television Arts and Sciences.
I lindur në Rhode Island, Mike diplomoi në Annandale High School në Fairfax County, kurse më 1985 diplomoi në Old Dominion University, aty ku qe kryeredaktor i gazetës studentore The Mace & Crown.
Me gruan e tij Donna, ata kanë dy fëmijë.