Goditje e shtetit në stilin ‘Shotokan’, ose zgjedhje - NACIONALE

Goditje e shtetit në stilin ‘Shotokan’, ose zgjedhje

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Në sportin e karatesë, stili ‘Shotokan’ është një nga më të njohurit. Karakterizohet me qëndrim të fortë dhe goditje të fuqishme. Goditje të cilën mbrëmë, partia në pushtet ia dha Kosovës, në karate siç shkruante deputeti Naim Bardiqi.

Në mesazhet e tij të kapura nga EkonomiaOnline, Bardiqi i shkrunte dikujt se po e zgjedhin presidentin karate, e më pas të presin vendim nga Gjykata Kushtetuese.

Pra me vetëdije të plotë se po e shkelin Kushtetutën, po ia jepnin Kushtetutës goditjen e fuqishme ‘Shotokan’. Atë që deri më sot, askush nuk e ka bërë në Republikën e Kosovës.

Sipas disa aktgjykimeve me radhë të Gjykatës Kushtetuese, votimi për president nuk mund të fillojë pa qenë të paktën 80 deputetë në Kuvend. Mbrëmë ishin 64. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e dinte këtë. E dinte se po e shkelte Kushtetutën. Megjithatë, me qëllim procedoi.

Ndoshta ishte qëllimi që ta jepte goditjen ‘Shotokan’, e më pas referi, pra Gjykata Kushtetuese, ta merrte pak kohë, që zgjedhjet të mbahen kur dëshiron Albin Kurti.

Seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit pritet të vazhdojë sot nga ora 10:00. Ose do të zgjedhet presidenti sot, ose do të zbatohet stili 'Shotokan' duke e goditur themelin e kushtetutshmërisë së Kosovës, ose sonte shpërndahet Kuvendi dhe Kosova shkon në zgjedhje. Se cilin stil do ta zbatojë Albin Kurti, mbetet të shihet.

Duke qenë se partitë në opozitë kanë shprehur zotimin e tyre që nuk shkojnë në seancë pa marrëveshje politike, opsion mbesin dy: presidenti zgjedhet në formën karate, ose Kosova shkon në zgjedhje.

Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, nuk pranonte të lëshohej në interpretime juridike. Thoshte se këtë do ta bëjnë ekspertët. Megjithatë, asnjë ekspert nuk mund ta thotë ndryshe, përveçse çdo tentim për ta zgjedhur presidentin me 64, është shkelje e Kushtetutës.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, seancën e mbrëmshme e quajti puç kushtetues.

“Sonte joserioziteti, papërgjegjshmëria e ka arritur kulmin. Ky është një puç kushtetues. Është derdhur shumë gjak, shumë mund, shumë sakrificë e shumë vuajtje që ne ta kemi lirinë e Kushtetutën. Sonte veçse është shkelur Kushtetuta e Kosovës. Ka hyrë në procedurë të votimit çështja e zgjedhjes së presidentit apo presidentes në mënyrë antikushtetuese”, tha Hamza.

Hamza tha se pa 80 deputetë të pranishëm nuk mund të konsiderohet i konsumuar raundi i parë dhe, rrjedhimisht, nuk mund të kalohet në raundin e dytë.

“Nuk mund të shkohet në rundin e dytë pa kaluar rundi i parë”, tha ai.

Të njëjtin qëndrim e shprehi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Lidhja Demokratike ka reaguar pas seancës së thirrur sonte për zgjedhjen e presidentit, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të rëndë të rendit kushtetues.

Në komunikatën për media, LDK-ja ka vlerësuar se nisja e procesit të votimit pa kuorum kushtetues përbën, siç thuhet, “sabotim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe vetë shtetit”.

Sipas kësaj partie, veprimi i sontëm paraqet abuzim të hapur me Kuvendin e Kosovës dhe përpjekje për të imponuar vullnet parapolitik.

“Republika nuk mund të merret peng. Rendi kushtetues nuk është i negociueshëm”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Partia ka paralajmëruar se për veprimet e sontme do të ketë përgjegjësi politike, institucionale dhe nacionale.

Kurse, nga AAK-ja paralajmëruan edhe protesta, qëndrim që e mbështeti edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Në anën tjetër, sot pritet të vazhdojë seanca nga ora 10:00.

Lajme të ngjashme