Goditjet e mbrëmjes dhe mëngjesit: Departamenti Amerikan, BE-ja dhe Lajçak i përgjigjen kritikave të Kurtit - NACIONALE

Goditjet e mbrëmjes dhe mëngjesit: Departamenti Amerikan, BE-ja dhe Lajçak i përgjigjen kritikave të Kurtit

7 muaj më parë

nga NACIONALE

I ashpër ishte reagimi i djeshëm i kryeministrit të Kosovës në konferencë për media. Ai e akuzoi për koordinim me Serbinë, emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Megjithatë, me një mesazh të qartë e të ashpër ishte edhe përgjigja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për deklaratat e kryeministrit kosovar. Departamenti Amerikan i Shtetit i dha përkrahje emisarit Lajçak.

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk konfirmoi ose mohoi marrjen e një letre që Kurti tha se u kishte dërguar vendeve perëndimore, por theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja

Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falenderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”.

Zëdhënësi shtoi se ShBA-të mbesin të zhgënjyera për mungesën e përparimit në takimin e fundit më 14 shtator, duke theksuar se dialogu i BE-së është rruga e vetme përpara për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ai po ashtu ka theksuar rëndësinë e respektimit të detyrimeve të përcaktuara në marrëveshje arritjen e progresit në dialog, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ne presim që të dy vendet t'i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu (i lehtësuar nga BE-ja) dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Në fund, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit citohet të ketë thënë se se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të bashkëpunojnë me partnerët evropianë dhe të konsultohen mbi hapat e ardhshëm në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

E sikur të mos mjaftonte, Lajçak ka shkruar në twitter për një darkë me Chollet e Escobar. Aty ka shkruar se kanë qëndrime të njëjta për situatën në Ballkanin Perëndimor.

“Kishim darkë mes miqsh të mirë në Nju Jork me Derek Chollet dhe Gabriel Escobar. Gjithmonë është e dobishme të rikonfirmojmë se ne ndajmë të njëjtin lexim të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe jemi në të njëjtën linjë në lidhje me rrugën përpara”, ka shkruar Lajçak.

Takim me Chollet e Escobar ka pasur edhe presidentja Vjosa Osmani.

Bashkimi Evropian ka dalë me një komunikatë të gjatë mëngjesin e sotëm pas deklaratave të djeshme nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në komunkatë thuhet se të gjitha palët duhet të zbatojnë marrëveshjen për të cilën janë zotuar. BE ka përsëritur kërkesën që të fillojë puna për zbatimin e Asociacionit,.

“Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë më 14 shtator në Bruksel, BE-ja shpreh shqetësimin e saj për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, të cilat të dyja palët të rënë dakord në fillim të këtij viti, dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë një rol në rrugën evropiane të palëve”, thuhet në fillim.

“BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”, bëhet e ditur në komunikatë.

BE-ja ka lënë të nënkuptohet se Kurti po e rrezikon parimin e konfidencialiteti në dialog, edhe pse pa përmendur emra. Sipas BE-së, është shqetësuese fakti që situata në veri është ende e tensionuar.

“BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në Dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik. BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarët, trupat e KFOR-it, forcat e rendit dhe përfaqësuesit e mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme”, thuhet në këtë komunikatë.

“Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, urdhrat e dëbimit, telekomunikacionin dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve. Sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve të policisë serbe të Kosovës të saporekrutuar / popullatës lokale janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Bllokimi i udhërrëfyesit nga ana e Serbisë, si dhe përpjekjet e tjera që nuk janë në përputhje me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e procesit të Dialogut”, thuhet më tutje.

Sipas Bashkimit Evropian, me situatën e fundit rrezikohet edhe rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë tha Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dha disa qëndrime të ashpra në konferencën e djeshme. Tha se Serbia s’ka ofruar asnjëherë asnjë propozim, kurse sipas tij, emisari Lajçak po ia mban krahun Beogradit zyrtar.

Si i tillë Lajçaku e Vuçiqi duket sikur të jenë koordinuar me një qëllim të vetëm, të bëjnë të pamundur një skenar ku marrëveshja zbatohet në plotni. Dhe t'i japin jetë një skenari alternativ ku vetëm gjysma e marrëveshjes; e gjysma tjetër që përbëjnë pjesën më të civilizuar fqinjësore dhe evropiane, të mos zbatohet asnjëherë”.

Kurti, në tonet më të mprehta të kohëve të fundit, tha se synimi i zbatimit të vetëm gjysmës së marrëveshjes, ashtu siç e dëshiron Serbia, është e barazvlefshme me “mbytjen e marrëveshjes”.

Kanë shkuar shumë larg në goditjen e Kosovës”.

Nuk mund të shtrembërohet gjykimi im duke hedhur hi syve. Ose e zbatojmë gjithë marrëveshjen, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ra toneve konstatuese se “ka asimetri drastike” në qasjen ndaj palës kosovare dhe favorizuese ndaj kërkesave të Beogradit, por ama “nga ana e ndërmjetësve” si emra të përvetshëm.

"Unë nuk do të thosha që ka pasur koodinim të BE-së me Serbinë, do të thosha emisari ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë. Nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë, dhe në anën tjetër shpërfillen propozimet tona. Gjatë gjithë vitit bëj propozime kreative. Serbia s’ka dhënë asnjëherë propozime".

Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dy thanë që ky plan është shumë jorealist”, tha Kurti.

Lajme të ngjashme