GLPS: Qeveria ka dështuar të bëjë emërimin e kandidatëve meritorë në pozitat kyçe
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) nuk është shprehur u kënaqur me dy vitet e para të Qeverisë Kurti.
Një konferencë për media, drejtoresha e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stublla, ka prezantuar raportin “Dy vjet qeverisje Kurti II: Cilat ishin arritjet dhe ngecjet që karakterizuan vitin e dytë?”.
Ajo ka thënë se Qeveria Kurti deri me tani ka dështuar në përzgjedhjen e kandidateve meritor në pozita të larta drejtuese në administratën publike.
"Konsiderojmë që viti i dytë i qeverisjes është karakterizuar me pozita me ushtrues detyre. Ky vit e ka gjetur Qeverinë me vetëm 4 sekretarë të përgjithshëm me mandat. Qeveria ka dështuar të bëjë emërimin e kandidatëve meritorë. Moskompletimi për një kohë të gjatë i pozitave, Ministria e Shëndetësisë ka qenë pa ministër e Policia e Kosovës pa drejtor”, ka thënë Loxha-Stublla, raporton EO.
Ajo ka bërë me dije se edhe Qeverinë Kurti e kanë përcjell problemet e qeverive të mëhershme.
“Edhe përgjatë këtij viti ka pas probleme si rezultat i bashkimit të ministrive. Përgjatë këtij viti edhe te kjo Qeveri sikurse në qeveritë e kaluara nuk kemi pasur publikimin e raporteve të punës”, ka theksuar Loxha-Stublla.
Ajo ka folur edhe për politikën e jashtme të kësaj qeveria.
Sipas saj, as në këtë drejtim nuk është arritur ndonjë sukses.
“Kosova u përball me pengesa të rëndësishme në kuptim të punëve të jashtme. Ndonëse janë bërë përpjekje për të marrë njohje të reja të njëjtat nuk kanë ndodhur”, ka theksuar Loxha.