Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, aprovohet propozimi mbrojtjes për dëgjimin e pesë dëshmitarëve
Në seancën e së mërkurës në gjykimin për vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar propozimin e avokatit Faruk Korenica për dëgjimin e pesë dëshmitarëve.
Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi i të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, avokati Korenica ka propozuar që si dëshmitarë në këtë rast të dëgjohen Nebojsha Qamiloviq, Goran Zhivkoviq, Predrag Jevqiq, Nexhmedin Isufi dhe Jovan Arsiq.
Këtë propozim, nuk e ka kundërshtuar prokurori special Burim Çerkini edhe pse i njëjti tha se për prokurorinë këta dëshmitarë janë jorelevantë.
Por, propozimin e tillë më pas e ka aprovuar kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, i cili po ashtu obligoi avokatin Korenica që të sigurojë të dhënat e sakta për t’i ftuar dëshmitarët.
Sipas gjykatësit Kurtaj, në qoftë se nuk do të mund të sigurohet ndonjëri prej tyre, atëherë gjykata do të rikonsiderojë vendimin për shkak të mosprolongimit të procesit.
Ndryshe, në këtë seancë ishte e paraparë që në cilësi të dëshmitares të dëgjohet Milena Popoviq, mirëpo sipas gjykatësit Kurtaj e njëjta përmes e-mailit e ka njoftuar gjykatën se për arsye personale nuk mund të jetë e pranishme.
Seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan më 22 dhe 23 shkurt, si dhe më 14 dhe 15 mars 2023.
Ndyrshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.
Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së. Betimi për drejtësi.