Gjykata Supreme i jep fund edhe njëherë ‘filmit’ me Listën Serbe, rrëzohet ankesa e Sami Kurteshit e Alban Krasniqit
Gjykata Supreme e Kosovës, ka hedhur poshtë ankesën e Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit, ndaj vendimit të PZAP, për çertifikimin e Listës Serbe.
Supremja e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e dy anëtarëve të VV-së, në KQZ. Sepse ata nuk kanë drejt të parashtrojnë ankesë si individ aty.
"Hedhet poshtë si e palejuar ankesa administrative e Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-së. Kolegji i Gjykatës Supreme e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e parashtruar nga Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, të dy anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) A.nr.3/2025, të datës 23.08.2025." - thuhet aty.
Alban Krasniqi i Vetëvendosjes dhe Sami Kurteshi, "deshën" të bëjnë mrekulli. Me të gjitha institucionet, në duart e partisë së tyre, ata nuk prodhuan asnjë dokument nga institucionet relevante (MPJ, MPB), për t'ia dorëzuar KQZ-së, në afatin ligjor. Ministritë e udhëhequra nga VV, nuk gjetën asnjë shkelje për Listën Serbe, kështu u rekomandua që kjo parti të certifikohet. Pasi mbaruan të gjitha procedurat ligjore, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi të Vetëvendosjes, bënin sikur do lëviznin diçka në këtë aspekt. Normalisht, pa rezultat, sepse qëllimi s'ishte të shkaktohej efektivisht mospjesmarrja e Listës Serbe, por veç propagandë.
"Kolegji i Gjykatës Supreme duke u nisur nga fakti se ankesa ndaj vendimit të PZAP-it në Gjykatën Supreme është parashtruar nga Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi në cilësinë e anëtarit individual të KQZ-së, të njëjtit nuk kanë të drejtë, përkatësisht nuk kanë legjitimitet që të parashtrojnë ankesë në emër të tyre personalisht, pasi që nuk janë palë të drejtpërdrejta sipas vendimit të PZAP-së" - thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës Supreme.

Çka vendosi PZAP
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte miratuar ankesën e Listës Serbe para disa ditëve dhe kishte anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, me të cilin ishte refuzuar certifikimi i listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Në arsyetim, PZAP vlerëson se KQZ nuk ka ofruar bazë të mjaftueshme ligjore për të vërtetuar se kandidatët e kontestuar bien ndesh me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.
Si rezultat, organi i ankesave ka urdhëruar KQZ-në të procedojë me certifikimin e listave të Listës Serbe në komunat ku ky subjekt ka aplikuar.
"I. APROVOHET e bazuar ankesa e subjektit politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, e paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me nr.protokolli 01/2215/2025, i datës 21.08.2025, për shkak të mos certifikimit të Listës së kandidatëve për Asamble Komunale dhe kandidatëve për Kryetar të Komunës të subjektit politik Lista Serbe, për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të Republikës së Kosovës që do të mbahen më datë 12 Tetor 2025.
II. ANULOHET Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me nr.protokolli 01/2215/2025, i datës 21.08.2025, URDHËROHET Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të certifikojë subjektin politik Lista Serbe me listën e kandidatëve për Asamble Komunale dhe kandidatëve për Kryetar të Komunës të këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike me nr.ref. 35/2025, të datës 21.08.2025, për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të Republikës së Kosovës që do të mbahen më datë 12 Tetor 2025." - thuhet në vendim.
Vendimi i KQZ-së
Të enjten e kaluar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendimin për të mos certifikuar Listën Serbe, çka la subjektin jashtë procedurave zyrtare për pjesëmarrje. Ky vendim nxiti menjëherë reagime të ashpra nga ndërkombëtarët.
Një ditë pas vendimit të KQZ-së, Lista Serbe bëri të ditur se e ka depozituar ankesën e saj te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian reaguan ashpër, duke shprehur shqetësimin e tyre për këtë vendim.
“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë, shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar konkurrencën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale më 12 tetor”, është thënë në reagim.
Madje Kosova pranoi një paralajmërim me tone të prera se çelësi i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian ndërlidhet drejtpërdrejt me “karakterin gjithëpërfshirës të zgjedhjeve lokale”.
Në deklaratë, Bashkimi Evropian shprehu zhgënjim për mos-certifikimin e dy subjekteve politike të komunitetit serb dhe shprehu zhgënjim për qëndrimin e marrë nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë procesit të certifikimit.
“Bashkimi Evropian është i zhgënjyer për mos‑certifikimin e 2 partive politike serbe të Kosovës. Ne shprehim keqardhje për qëndrimin e marrë nga Vetëvendosje gjatë procesit të certifikimit.” – u tha në reagim.
Blloku e theksoi si pazëvendësueshëm karakterin gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Unionit.
“Karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale që po afrojnë është kyç për marrëdhënien e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Partitë politike që kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur të marrin detyrat e tyre në mbarë Kosovën, mbi bazën e një procesi të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.” – thuhet tutje