Gjykata Kushtetuese rrëzon disa nene të Ligjit për Zyrtarët Publikë
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka bërë me dije se ka rrezuar disa nene të Ligjit për Zyrtarët Publikë, të cilin e kishte dërguar për shqyrtim opozita.
Përmes një njoftimi për media, Kushtetuesja ka bërë me dije se ka pranuar kërkesat e partive opozitare në lidhje më këtë ligj.
Kushtetuesja ka bërë me dije anëtaret e kësaj gjykate kanë vendosur se ligji nuk është në përputhje me disa nene të Kushtetutës.
Sipas njoftimit, ligji mund të dekretohet nga presidentja pas ndryshimit të këtyre neneve.
“Ndërsa, në lidhje me përmbajtjen e Ligjit të kontestuar, Gjykata, njëzëri ka vendosur që (i) kriteri i “përshtatshmërisë’ i përcaktuar në paragrafët 2 dhe 5 të nenit 9 (Kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtares/it publik) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (ii) formulimi “si dhe mbikëqyrë implementimin e tyre” i pikës 1.1 të paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i nenit 12 (Qeveria e Republikës së Kosovës) dhe nën-paragrafët 1.1, 1.2, 1.5 dhe 1.9 të paragrafit 1 dhe paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 13 (Ministria përgjegjëse për administratë publike) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] dhe paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; (iii) formulimi “në rastet e parapara sipas këtij ligji” i paragrafit 3 të nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojta Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 6 i nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) dhe paragrafët 3 dhe 4 të nenit 88 (E drejta për ankesë e nëpunëses/it të shërbimit publik) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojta Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (v) paragrafi 6 i nenit 67 (Lista e pritjes) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (vi) paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7 të nenit 99 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (vii) paragrafi 2 i nenit 104 (Shfuqizimi) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit], paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; ndërsa (viii) me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër që neni 46 (Emërimi dhe mandati në pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues) i Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 19 [Zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare] dhe nenin 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës”, është thënë në njoftimin e Kushtetueses.
Gjithashtu në Aktgjjykimin e Kushtetueses, flitet edhe për reformën në administratë publike, e cila ishte edhe një nga vërejtjet e BE-së për ligjjin e konstestuar. Specifikisht flitet për pozitat e përhershme të cilat me ligjin e kontestuar u shndërruan në pozita të përkohshme, kështu duke afktuar zyrtar tashmë të punësuar.
“Aktgjykimi gjithashtu sqaron që bazuar në shkresat e dorëzuara në Gjykatë nga parashtruesit e kërkesës, rezulton që Opinioni i Zyrës Ligjore të Bashkimit Evropian dhe SIGMA-s, ndër tjerash, kishte tërhequr vërejtjen për mangësitë e reformës së administratës publike. Për më tepër, bazuar në kontributet e dorëzuara në Gjykatë përmes Forumit të Komisionit të Venecias, rezulton që përderisa administratat publike të shteteve respektive, përjashtimisht, përcaktojnë pozita me mandate të kufizuara, në parim, asnjë prej tyre nuk ka ndërmarrë një reformë sipas të cilës pozitat me mandate të përhershme janë shndërruar në të përkohshme, duke afektuar edhe të drejtat e fituara të zyrtarëve të administratave respektive shtetërore.” – thuhet aty.
Tutje aty thuhet se edhe kritieri i “përshtatshmërisë”, i vendosur në këtë ligj është i papajtueshëm me kushtetutën, kjo sepse sipas Kushtetueses, kjo do t’i lejonte autoritetit public një gamë të gjerë vlerësimi në pranim të punës.
Gjykata ka vlerësuar që përcaktimi i kriterit të “përshtatshmërisë” është i papajtueshëm më garancitë kushtetuese sipas sqarimeve të dhëna në dispozitivin e Aktgjykimit.
BE-ja kishte kritikuar ashpër ligjin
Përveç opozitës, edhe Bashkimi Evropian e kishte kritikuar Ligjin për Zyrtarët Publik. Zyra e BE-së në Prishtinë kishte vlerësuar se ky ligj e cenon dhe e politizon shërbimin civil.
Përmes disa komenteve, të cilat i pati siguruar gazeta Nacionale, BE-ja kishte kërkuar nga deputetët ndryshimin e disa neneve të projektligjit.
Sipas BE-së, projektligji ishte problematik nga pikëpamja e sigurimit të një shërbimi civil të bazuar në meritë.
Në komentet që kjo zyre ia ka dërguar Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, më 14 dhjetor, është thënë se Qeveria ka përfshirë vetëm disa rekomandime të tyre.
Sipas tyre, në projektligj nuk janë përfshirë komentet e BE-së dhe SIGMA-s në memorandumin shpjegues dhe nuk është arsyetuar devijimi nga këshillat e dhëna.
Aty adresohen një sërë çështjes si shumë shqetësuese, duke iu rekomanduar deputetëve të Kosovës që gjatë leximit të dytë të projektligjit të merren parasysh këto komente.
Sipas komenteve, projektligji duhet të përafrohet më mirë me parimet e një administrate publike moderne në mënyrë që të jetë në gjendje të përmbushë angazhimin për një administratë publike të bazuar në meritë, të depolitizuar dhe profesionale.
"Projektligji është ende problematik nga pikëpamja e sigurimit të një shërbimi civil të bazuar në meritë, i aftë për të tërhequr dhe ruajtur kandidatë profesionistë. Projektligji shton diskrecionin e tepruar në rekrutimin, transferimin dhe ngritjen në detyrë të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil të cenueshëm dhe në rrezik më të madh politizimi dhe korrupsioni", thuhej në komentet e BE-së.
Shqetësimet e BE-së kanë të bëjnë me fushën e zbatimit të ligjit, mandatin e pozitave të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues, procedurën e rekrutimit të këtyre pozitave, mungesën e përzgjedhjes së listës së ngushtë të kandidatëve për pozita të larta drejtuese dhe rekrutimin e decentralizuar.
Kuvendi i Kosovës në lexim të parë këtë projektligj e miratuar më 9 dhjetor. Ndërsa, në seancën e të enjtes pritet të miratohet edhe në lexim të dytë.

