Gjykata ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për Sali Berishën
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) sot ka miratuar kërkesën e SPAK-ut, duke vendosur që Sali Berisha të dërgohet në arrest shtëpiak.
Vendimi i gjykatës parasheh që Berisha të ruhet me mbikëqyrje policore në banesën e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë, përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.
“1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 2.Zëvendësimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.112, datë 20.10.2023, verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lënë në fuqi me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal shtrëngues “arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, i biri i Ram-ës dhe i Shiqere-s, i datëlindjes 15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr. personal E40701031R, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal”, thuhet në vendim e gjykatës.
Më pas, gjykata i kërkon Berishës që të mos largohet nga banesa e tij.
“2.1. Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të. 3-Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai”, thuhet me tej në vendim.
Në piken e fundit të vendimit tregohet se palët brenda pas ditës kanë të drejt të ankohen ndaj këtij vendimi.
“4- Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. 5-Kundër këtij mund të bëhet ankim nga palët, brenda pesë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në fund të vendimit.