Nga Stacioni i Policisë në Prishtinë e drejt në Shtëpi të Bardhë: Rrugëtimi i çuditshëm i Gjuriqit, i frikshëm për Kosovën
Kanë kaluar vetëm katër vjet e katërmbëdhjetë ditë prej që Marko Gjuriq u arrestua nga Policia e Kosovës dhe u dëbua drejt Serbisë. Pamjet që shfaqnin Gjuriqin – atëbotë drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë – ishin të sikletshme e turpëruese për të e për Serbinë. Por, ja që Gjuriq sot gjeti veten në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë me dorën të shtrënguar nga presidenti amerikan Joe Biden. Çka duhet të dimë për gjithë këtë rrugëtim epik nga Stacioni i Policisë në Prishtinë drejt Shtëpisë së Bardhë?
H I S T O R I A e një krenarie
Në fundin e marsit të vitit 2018, Gjuriq kishte shpërfillur vendimin e Qeverisë së asokohshme të Kosovës që i ndalonte hyrjen. Për të treguar trimërinë e tij, ai bashkë me disa zyrtarë tjerë serbë u fut ilegalisht në Kosovë për të marrë pjesë në një tubim në veri të vendit.
“Kushdo që futet ilegalisht në Kosovë do të arrestohet!” – kishte thënë shefi i atëbotshëm i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli. Për shkak se e kishte thënë Pacolli, ose ndoshta për shkak të frikës nga rritja e tensioneve ndër-etnike, askush nuk e kishte besuar që do të shihte atë skenë arrestimi atë të hënë të 26 marsit.
Njësitë speciale të Policisë së Kosovës shkuan në tubimin me qytetarë të cilin po e mbante Gjuriq dhe duke përdorur gaz lotsjellës arritën ta shpërndanin turmën e mbledhur rreth Gjuriqit dhe e arrestuan këtë të fundit.

Më pas, politikani – në atë kohë 35 vjeçar serb – u soll në Prishtinë në stacionin kryesor të Policisë dhe qytetarë të shumtë – që ndoshta s’ju besonin pamjeve nga mediet – dolën për ta parë të lidhur nga policët tanë.
Ecja e tij i tërhequr me forcë nga policët kosovarë ndolli krenari të madhe te secili prej tyre. Sidoqoftë, dita e sotme – dita në të cilën ne festuam 14 vjetorin e Kushtetutës – duket tepër e largët nga ajo ditë.
Arrestimi e dëbimi turpërues duket se nuk e dëmtoi fare karrierën politike të Gjuriqit që ishte bërë ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) më 8 tetor të vitit 2020.
H I S T O R I A e një turpi
Vetëm katër vjet pasi iu lidhën të dy duart nga policët e Kosovës, Marko Gjuriqit iu shtrëngua dora e djathtë në Shtëpinë e Bardhë nga Joe Biden, presidenti amerikan.
Por, përtej kësaj simbolike ekzistojnë shumë rrethana më rënduese për këtë takim.
Presidenti i 46 i ShBA-ve, Joe Biden, konsiderohet gjerësisht si presidenti më miqësor amerikan ndaj Kosovës dhe që njihte imtësisht historinë e rajonit por edhe kombit tonë. I biri i z. Biden, Beau-ja, kishte shërbyer edhe në Kosovë dhe një rrugë mban emrin e tij – e të cilën e ka vizituar madje edhe presidenti amerikan.
Rrethana tjetër rënduese është vetë karriera e z. Gjuriq. Ai ka qenë – siç e thamë më lart – drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë. Kjo është zyra kryesore e Serbisë që merret me çështjen e Kosovës dhe minon vazhdimisht shtetësinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
%20(1).jpg)
Një rrethanë tjetër potencialisht rënduese është edhe përgatitja disa-muajshe e vizitës në ShBA të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Kjo vizitë ishte paraparë – prej tij – të ndoshte qysh vitin e kaluar (në nëntor 2021) e më pas edhe në fillim të këtij viti. Por, nuk ndodhi. Tashmë Kurti ka deklaruar që vizita pritet të bëhet në muajin maj, por pa dhënë siguri se do të arrijë të takohet me presidentin amerikan.
Vizitë në ShBA gjatë muajit maj ka paralajmëruar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, por as kjo e fundit nuk ka treguar nëse do të arrijë të vizitojë Shtëpinë e Bardhë.
Për më keq, kjo vizitë vjen në kohën e agresionit rus në Ukrainë që e ka vënë në pozitë shumë të vështirë diplomatike Serbinë. Analistë të shumtë të marrëdhënieve ndërkombëtare – ashtu si opozita - në Kosovë kanë potencuar rëndësinë e shfrytëzimit të situatës nga pala kosovare por një gjë e tillë deri tash nuk ka ndodhur.
Opozita e vendit ka kritikuar Qeverinë Kurti II se ka dëmtuar aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Së fundi, ishte mos-lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë që acaroi QUINT-in, e edhe ShBA-të, të cilët kishin negociuar për çështjen për dy muaj dhe e protestuan ashpër vendimin e marrë nga Kurti.