"Gjithçka që kemi arritur është rezultat i bashkëpunimit", Osmani thekson nevojën e koordinimit me aleatët rreth çështjes së dinarit - NACIONALE

"Gjithçka që kemi arritur është rezultat i bashkëpunimit", Osmani thekson nevojën e koordinimit me aleatët rreth çështjes së dinarit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një thirrje për dialog dhe bashkëpunim në dritën e tensioneve në rritje mes qeverisë së Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë, pas vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit. Në këtë kontekst, Osmani theksoi nevojën për një koordinim më të madh në mes të qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Në një intervistë për televizionin arab më 8 shkurt, Presidentja Osmani deklaroi se tensionet e fundit kanë ardhur për shkak të mënyrës së komunikimit në lidhje me vendimin për ndalimin e dinarit, duke theksuar se është e rëndësishme të koordinohet më mirë me aleatët ndërkombëtarë.

Osmani gjithashtu u shpreh se sukseset e deritanishme të Kosovës janë rezultat i bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët me partnerët ndërkombëtarë, dhe për këtë arsye, theksoi nevojën për të ulur dhe për të diskutuar më shumë për të gjetur një zgjidhje.

“Sfida ishte komunikimi, mënyra se si u komunikua. Gjithçka që kemi arritur në këtë vend është rezultat i bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë” - tha Osmani ndër të tjera.

“Ka hapësirë për t’u ulur dhe për të diskutuar mes qeverisë dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë, për të punuar rreth kësaj çështjeje.” - tha ajo.

Në kontekstin e koordinimit për zbatimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Osmani tha se “do të ishte qesharake" në rast se kjo çështje nuk do të zgjidhej.

Kujtojmë se ditë më parë, diplomati i lartë amerikan, James O’Brien, deklaroi ndër të tjeras se nëse qeveria nuk e trajton Amerikën si partnere, atëherë as ShBA nuk do ta konsiderojnë Qeverinë e Kosovës si të tillë.

O’Brien theksoi nevojën që Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, të tërhiqet nga vendimi për ndalimin e dinarit serb.

Ai argumentoi se zbatimi i vendimit ishte bërë pa paralajmërim duke “ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike”.

Nihmës-sekretari shtoi se kjo sjellje nuk përmbush standardet e qeverisjes efektive dhe tregon paaftësinë për t'i shërbyer qytetarëve dhe për të ruajtur partneritetin me aleatët.

“Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin.” – tha ai.

Lajme të ngjashme