Gjithçka gati: KQZ, Policia dhe Ministria zotohen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore - NACIONALE

Gjithçka gati: KQZ, Policia dhe Ministria zotohen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ora 7:00 e mëngjesit, qytetarët e katër komunave veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, do t'i gjejë zyrtarisht në ditë të zgjedhjeve. Këto komuna pritet të zgjedhin kryetarët e tyre të rinjë, pas dorëheqjeve muaj më parë të kryetarëve praprak, përshkak të pakënaqësive të tyre me politikat e Qeverisë Kurit. Në një situatë ku Lista Serbe i ka bojkotuar zgjedhjet e tensionet janë intesifikuar, Policia e Kosovës, KQZ, Ministria e faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, kanë thirrur e kanë siguruar për zgjedhje të qeta e demokratike.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kreshnik Radoniqi, gjatë ditës ka thënë se gjithçka tashmë është gati, sa i përket organizimit nga ana e KQZ-së, për zgjedhjet në katër komunat veriore.

Radoniqi ka ftuar të gjithë qytetarët që banojnë atje, ta shftytëzojnë të drejtën e votës, në mënyrë që t'i zgjedhin përfaqësuesit legjitim në komunat e tyre.

Në emër të KQZ-së unë ftoj të gjithë qytetarët e veriut që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të dalë në zgjedhje dhe në këtë formë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitim dhe të ndërtojnë institucionet demokratike”, është shprehur Radoniqi.

Policia, zotohet se do të mbrojë jetën dhe pronën e pjesëmarrësve në zgjedhje

Policia e Kosovës, përmes një komunikate të lëshuar për media, ka siguruar se në kuadër të mandatit të tyre, do të sigurojnë mbrojtjen e jetës dhe të pronës, gjatë këtij procesi

Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saj operacionale dhe në bashkërendim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.

“Qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor, ku Policia e Kosovës synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës: para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Garantimi i së drejtës së votës, mbrojtja e jetës dhe pronës, parandalimi i dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme etj." - shkruan në komunikatë.

Poashtu në këtë komunikatë të Policisë, qytetarët e këtyre komunave ftohen për bashkëpunim me Policinë e Prokurorinë, për çfarëdo parregullësie që vërejnë gjatë ditës së zgjedhjeve, e që është njëra nga pjesët përbërësie të planit të Policisë.

"Ky plan parasheh që Policia e Kosovës të angazhohet në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme për qytetarët dhe vendin, për t’u mundësuar ushtrimin e lirë të së drejtës së votës të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje."

"Njëkohësisht, institucionet relevante inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe, të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre."

"Raportimet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale dhe të njëjtat mund t’i adresoni te Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja dhe te Policia e Kosovës." - thuhet aty.

Sveçla: T'i japim fund grupeve të Vuçiqit

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë thirrje për qytetarët të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje dhe të mos lejojnë kërcënimet dhe presionin e Serbisë ndaj komunitetit serb.

Sveçla ka shprehur shqetësimin e tij për kërcënimet e vazhdueshme ndaj serbëve që jetojnë në pjesën tjetër të vendit dhe ka akuzuar strukturat ilegale e kriminale të drejtuara nga Beogradi për këto sulme.

Ai ka shtuar se qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb, të cilët janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre dhe janë kërcënuar, sulmuar dhe diskriminuar në mënyra të ndryshme.

Edhe BE e ShBA, në anën e Kosovës për zgjedhjet në veri

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ditë më parë deklaroi se zgjedhjet në këto komuna do të njihen nga ShBA-të, përkundër refuzimit të Listës Serbe për të marrrë pjesë. Këtë e konfirmoi edhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovernier.

E një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në veri, edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë thirrje që zgjedhjet për kryetar të katër komunave me shumicë veriore të mbahen në mënyrë të qetë.

“Është e domosdoshme që zgjedhjet të mbahen në kushte paqësore dhe BE fton të gjitha palët që të tregojnë përmbajtje”, ka thënë Stano, raporton REL.

Ai ka pranuar se deri me tani shumë pak është bërë në uljen e tensioneve në atë pjesë të vendit.

Sipas tij, serbët është dashur të kthehen në institucioneve.

“Që kur serbët u larguan nga institucionet në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, BE-ja bashkë me partnerët tanë, ishte angazhuar me të dyja palët për të ulur tensionet dhe që serbët e Kosovës të përmbushnin obligimin e tyre nga dialogu dhe të ktheheshin në institucione, ndërsa për Kosovën të mundësojë që ky kthim të realizohej. Deri më tani, pak përparim është arritur në këtë pikë. Është imperative që të kthehemi në situatën në të cilën serbët e Kosovës marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Na duhet që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim”, ka deklaruar Stano.

Lajme të ngjashme